E Shtunë, 31 Tetor 2026

Start afrohet momenti i ratifikimit

Marrëveshja Senati i jep “ok”. Nis të shpërbëhet fronti i republikanëve

Me 67 vota pro dhe 28 kundër senati në SHBA vendosi të martën pasdite ta mbyllë debatin për Marrëveshjen e Çarmatimit Bërthamor. Shtëpia e Bardhë e konsideron këtë si një vendim paraprak për miratimin me 22.12. Fronti i republikanëve kundër marrëveshjes “Start” po shpërbëhet, duket që presioni për miratimin e Marrëveshjes së Çarmatimit është mjaft i madh. Të gjithë ish-ministrat e Jashtëm republikanë që jetojnë, ministri i Mbrojtjes, Robert Gates, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mike Mullen, janë shprehur për ratifikimin e Marrëveshjes së Çarmatimit deri në fund të vitit. Në takimin e NATO-s në Lisbonë një sërë kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve europiane që nga Lituania e deri te Norvegjia, Danimarka, Hungaria dhe Bullgaria u angazhuan për Marrëveshjen e Çarmatimit. Edhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi në Lisbonë, se shpreson që së shpejti të miratohet marrëveshja START.  Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, të shtunën e kaluar, marrëveshjen “Start” e kishte një nga temat e fjalimit të përjavshëm radiofonik dhe vuri në pah rreziqet nëse ajo nuk ekziston. "Pa këtë marrëveshje ne rrezikojmë përparimet që kemi arritur në marrëdhëniet me Rusinë.  Këto përparime janë thelbësore, për të zbatuar sanksionet kundër Iranit, për të siguruar prej terroristëve lëndët bërthamore dhe për të furnizuar trupat në Afganistan", tha ai. Por senatorët republikanë nuk duan të nxitohen dhe ngurronin ta merrnin vendimin në përbërjen e vjetër të senatit, ku nëntë votat e republikanëve do të mjaftonin për të pasur shumicën. (Senati duhet ta miratojë marrëveshjen me shumicën e një të tretave, në rast se të gjithë 100 senatorët janë të pranishëm) Duke nisur nga janari janë të nevojshme 14 vota të republikanëve, sepse në zgjedhjet për Kongresin në nëntor ata fituan bindshëm dhe kësisoj mund të kenë edhe më shumë vende në senat. Rezervat e tyre janë përmbajtësore, kryesisht, sepse marrëveshja e kufizon SHBA-në në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat. Por ndryshimi që ata kërkojnë në projektmarrëveshje presupozon që qeveritë duhet të negociojnë sërish. Këtë rusët e përjashtojnë në mënyrë kategorike. Në një seancë të fshehtë që zgjati tri orë të hënën me sa duket demokratët ia kanë dalë që të bëjnë për vete disa senatorë republikanë. Ndërkohë, janë dhjetë senatore dhe senatorë republikanë, të cilët kanë deklaruar, se duan të votojnë për marrëveshjen. Në këtë mënyrë, qeveria e Obamës siguron numrin e nevojshëm të votave për ratifikimin e marrëveshjes, të cilën duhet ta miratojë edhe Duma ruse. Ky do të ishte një sukses i rëndësishëm në politikën e jashtme për Presidentin e SHBA-së. Marrëveshja “Start” u nënshkrua më 8 prill nga Barak Obama dhe kolegu i tij rus, Dimitri Medvedev. Kjo marrëveshje parashikon për secilën palë posedimin maksimalisht të 1550 kapsulave atomike shpërthyese. Numri i sistemeve mbajtëse, raketa - nëndetëse dhe aeroplanë, përcaktohet në 800 për secilin vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›