Joshua Marston nën hijen e pjekurisë së të rinjve
Hera e dytë që regjisori amerikan udhëton shumë larg vendit të tij për të bërë një film për moshën e pafajësisë, për të rinj që duhet të vendosin për jetën duke qenë brenda pragut të një familje të ngujuar.
Në Shkodër dhe Gur të Zi, Marston po krijon veprën e tij të ardhshme për një vend në tranzicion. Regjisori: "Nuk është film për gjakmarrjen."
Shkodër
Kishim lënë pas Lagjen Rus në Shkodër, Mëngjezoren "Kelmendi" e cila dukej të kishte marrë këtë emër pas një më të vjetri, Mëngjezore "Eliaz Bandulla" i zënë në ndryshk. Kishim lënë pas lëmshin e trafikut, njerëzve, biçikletave, rrobeve të zeza të dimrit dhe të shiut, kryqëzimin e lerosur që bëhej sikur kontrollohej nga një polic.
Ai shesh në skajin tjetër të qytetit që i ngjante një porte nga s'del dot njeri, ishte vend xhirimi për filmin akoma pa titull të një regjisori që quhet Joshua Marston. Ashtu si ngjarjet kthesë në jetën e dikujt ndodhin pa qenë nevoja të jetojë gjatë dhe thellë, skena e pazarit me një vajzë 14 vjeç, karakteri i dytë kryesor i filmit, ndodh në buzë të atij sheshi të zakonshëm, në anë të asaj mëngjezores.
Karaktere realë dhe botë reale, është kërkesa për një film të vërtetë që ka Joshua Marston-i, duke përdorur një kamera super 16mm mbi supet e anglezit Rob Hardy, e ndjeshme për ta xhiruar botën si një dokumentar.
E ka nisur karrierën si fotoreporter për Life Magazine nga Parisi dhe më pas për ABC News gjatë Luftës së Gjirit Persik. Jetoi në Pragë për një vit ku dha mësime anglishteje.
I lindur në Los Anxhelos (aktualisht jeton në Nju Jork), emri i tij u bë i njohur ndërkombëtarisht me një histori kolumbiane në filmin "Maria full of grace" (2004), fitues ndër të tjera i çmimit "Alfred Bauer" në Berlinalen e po atij vit dhe i Çmimit të Publikut në Festivalin e Sandensit.
Catalina Sandino Moreno, të cilin Marston e gjeti pas kinoprovave me 800 vajza, fiton Ariun e Artë në Berlinale si aktorja më e mirë për rolin e Marisë, dhe e para aktore kolumbiane në historinë e kinemasë së vendit të saj e cila po shkonte aq larg sa të kandidohej për çmimin Oscar.
Regjisor i "Coney Island" pjesë e filmit "New York I Love You" të realizuar nga 11 autorë e ku interpretojnë Cloris Leachman dhe Eli Wallach, i episodeve nga "Six Feet Under" (HBO), "Swingtown" (CBS), "Law & Order" (NBC) dhe "In Treatment" (HBO).
Kaq sa për t'ia prezantuar lexuesit një regjisor, të guximshëm po të marrësh parasysh vanitetin komercial e ideor në kinemanë e autorëve industrialë të vendeve të mëdha. Filmi në Shqipëri që është i dyti i gjatë në karrierën e tij, ashtu si edhe "Maria full of grace", ka një histori që ka s'ka të bëjë me vendin e tij, është i gjithi në një gjuhë që s'është e tija, në shqipe, interpretojnë disa aktorë kryesorë amatorë për të cilët është lodhur deri sa i ka gjetur.
Marston-i është i interesuar për antropologjinë e kulturave që s'kanë të bëjnë me kulturën nga vjen. Por portretet që ai kërkon kanë të bëjnë me një farë shpirti të shtegtuar njerëzor që ai mund ta kapë në një çast dhe në një vend të caktuar gjatë kërkimeve të tij.
A do të jetë Shqipëria dhe historia e tij shqiptare ky çast i kapur?
Pa filluar nga puna është folur se ky do të jetë një film tjetër për gjakmarrjen. Jo pak kanë rrudhur buzët, ashtu siç ka pasur të tjerë që kanë besuar se Marston-i mund të jetë i duhuri për ta rrokur këtë fenomen të vjetër dhe aktual.
Mbi këtë motiv kujtojmë "Të paftuarit" (1985) të regjisorit Kujtim Çashku bazuar në romanin "Prilli i thyer" i Ismail Kadaresë. Më 2001 Walter Salles realizon "Abril Despedaçado" (2001), edhe ky u bazua tek i njëjti roman i autorit shqiptar, por filmi është ambjentuar në Brazilin e fillimit të nëntëqindës.
Pati sukses në disa festivale të rëndësishme. Më 2004, shkrimtarja Elvira Dones realizon një produksion zviceran, "I ngujuar". "Busulla" (2007) një film i shkurtër nga Bujar Alimani, mbahet mbi një histori të vërtetë gjakmarrjeje në Shkodër.
Më 2009 del në kinema produksioni "Gjallë" me regji të Artan Minarollit, një nga filmat më të dobët në historinë e kinemasë shqiptare të pas nëntëdhjetës, sidomos për degjenerimin e temës në fjalë.Pastaj janë jo pak dokumentarët televizivë që janë realizuar nga TV-të shqiptare.
Po të vazhdonim më tej, Andamaion Murataj, producenti dhe skenarist bashkë me Joshua Marston për projektin në xhirim, do të na thoshte se tema jo vetëm që s'është e rrahur, por edhe po të ishte, tjetër është qëllimi i filmit. Edhe në revistat amerikane për kinemanë si "Variety" apo "Screen Daily" është paraqitur si një film për gjakmarrjen.
Por në intervistën e parë që regjisori Joshua Marston po jep nga sheshi i xhirimit për "Shekullin", sqaron se nuk kemi të bëjmë me një film për gjakmarrjen, por me një histori të pjekurisë së adoleshentëve.
Kishim lënë pas xhirimet në Lagjen Rus, grupi i punës ishte para nisjes për në Gur të Zi, fshati ku do të xhirohen skenat kryesore të filmit, kur Joshua Marston-i, duke mbajtur në njërën dorë pjatën me dy copa ëmbëlsire, dha këtë intervistë.
Intervista/ Flet Joshua Marston
Si shkoi dita e tretë xhirimeve?
Ishte një mëngjes i jashtëzakonshëm dita e tretë e xhirimeve, sepse zbritëm në Shkodër ku ke mundësi të kapësh jetën dhe vitalitetin e gjithë qytetit. E rëndësishme për këtë film është që ndihet realist dhe që aktorët tanë t'i përgjigjen botës së vërtet që i rrethon.
Ajo që bëmë sot në mëngjes ishte vendosja e aktores dhe e aktorëve tanë në atmosferën e vërtetë, në Shkodër, në treg që është plot jetë dhe gjallëri dhe ku përzihen bashkë fabula që ne kemi shkruar me atë botë që ekziston.
Çfarë nënkuptoni me atë "botë e vërtetë"?
Me "botë e vërtetë" e kam fjalën për një botë të cilën ne si kineastë nuk duhet doemos ta kemi nën kontroll, nuk është e thënë që ta krijojmë apo ta ngremë nga themelet. Në këtë rast do të thotë se 99% e asaj që ju shikoni në ekran, është ajo që do të ndodhte edhe po të mos kishit qenë të pranishëm.
Është e dyta herë që udhëtoni shumë larg vendit tuaj për të bërë një film, së pari në Kolumbi dhe tani në Shqipëri, pse, çfarë doni të tregoni?
Të bësh filma për mua është një mundësi për të nxënë dhe për zbuluar vende dhe mjedise të reja, prandaj udhëtoj dhe bëj kërkime që përfshijnë qoftë edhe vëzhgimin e njerëzve. Pikërisht këtë gjë kam bërë me këtë film.
Andamion Murataj dhe unë harxhuam disa muaj duke këqyrur shumë familje që jetojnë të ngujuara, mësues, ndërmjetës, ekspertë të Kanunit, me qëllimin për të kuptuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të jesh në GJAK, sot në vitin 2010 në Shqipëri, dhe çfarë do të thotë të jetosh në izolim.
Dhe çfarë mësuat deri tani?
Mësova, me sa duket, se të jetosh në ngujim sot nuk është njëlloj si tridhjetë, pesëdhjetë apo tetëdhjetë vjet përpara. Nuk do të thotë të jetosh në KULLË, por jeton në shtëpi, me televizor, videolojëra, me telefona celularë.
Kështu që ekziston ky kontrast, një botë e re absolutisht normale për ne që jetojmë rregullisht, disa lloj rrethanash që janë krijuar jo prej botës së re, po prej Kanunit, diçka që i përket traditës. Nuk është konflikti, por ky kontrast që merr për mua vlerën më të madhe. Ky kontrast mua më flet për tranzicionin që vazhdon e vazhdon në Shqipëri.
Prandaj bashkëskenaristi shqiptar dhe të tjerë pranë këtij projekti këmbëngulin për ta prezantuar filmin jo siç është thënë deri tani, jo si një vepër tjetër për gjakmarrjen?
NUK është një film për GJAKMARRJEN. Para së gjithash është një film për rritjen e dy fëmijëve. Pra në këtë pikë mund të shtojmë se nuk është në mënyrë specifike një film vetëm për Shqipërinë, po për diçka universale, që edhe ata që nuk janë shqiptarë ta kuptojnë dhe të gjejnë lidhje dhe përkime me jetën e tyre. Pra është për diçka rrënjësisht njerëzore: për mënyrën se si rritesh.
Së dyti është një film për zhvillimin e tranzicionit si një shoqëri nga një vend në një tjetër, ky kontrast midis diçkaje të re dhe diçkasë së vjetër.
Tek filmi "Maria full of grace" që ju bëri të njohur në botë, personazhi është 17 vjeç. Niku, personazhi shqiptar qendror, është po aq. Është koincidencë apo ju intereson të tregoni për këtë moshë të njeriut?
Unë interesohem për nivelin social të tranzicionit, pra çfarë ndodh në Shqipëri, dhe po aq jam i interesuar për tranzicionin dhe zhvillimin e karaktereve të mi, duke i parë ata në ndryshim, prej fillimit në fund të filmit.
Prandaj shpesh interesohem për personazhe të asaj moshe kur janë duke bërë një ndryshim, kur janë duke mësuar diçka, kur janë ndërkohë duke zbuluar diçka për veten e tyre dhe që do të bëhen tjetër, do të bëhen njerëz të rinj.
Ka diçka personale në këtë mes?
Në çdo film që bëj, gjithnjë ka diçka personale. Sado që shqiptar nuk jam, personale dhe private nga jeta ime, është fakti që ky film merret me zbulimin, dua të marr vesh çfarë do të bëj me jetën time, çfarë vendi duhet të kem: duhet të rri me familjen time apo të mos rri me të, të jem i pavarur apo duhet të respektoj zakonet dhe traditat e shoqërisë ku jetoj dhe të cilës i përkas.
Këto janë gjëra të cilat janë të lidhura edhe me jetën time. Janë tema ku më pëlqen të gërmoj dhe ku e gjej veten në shumë prej punëve që bëj.
Cilat kanë qenë rezultatet më të rëndësishme të kërkimeve tuaja në Shqipëri?
Gjëja më e thellë dhe më prekëse për mua ishte qëndrimi në shtëpitë e familjeve që sot jetojnë në izolim, në qytet dhe në vendet jashtë Shkodrës.
Para se të vinim në Shkodër, kishim folur me shumë njerëz këtu në Shqipëri, që na kishin thënë se nuk janë dhe aq familjet e izoluara, se numri i fëmijëve të ngujuar ishte ulur. Por kërkimi ynë na tregoi se janë shumë familjet që jetojnë në ngujim dhe e vërteta është e gjallë akoma.
Realiteti është i shumë i dhimbshëm dhe është veçanërisht i dhimbshëm kur flet, siç fola unë, me një djalë që ishte ngujuar 11 vjeç dhe kur e takova ishte 13, që nuk i takonte më shokët, që nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia, nuk shkonte në shkollë. Dhe kur e pyeta se çfarë i mungonte më shumë, nisi të qajë dhe tha: Shokët e mi. Ky ishte për mua një çast jashtëzakonisht prekës.
Në filmin tuaj flitet shqip, xhirohet i gjithi këtu. Çfarë filmi ta quajmë?
Është një histori shqiptare dhe filmi është një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan.
Prapë po punoni me aktorë jo profesionistë, çfarë i sjellin ata punës suaj?
Po punoj me një trupë të përzier aktorë profesionistë dhe jo profesionistë. Aktorët e rinj janë jo profesionistë sepse nuk ka aktorë profesionistë në Shqipëri që të jenë 14 apo 17-vjeçarë. Thjesht nuk ka. Na është dashur dhe ka qenë e nevojshme të intervistonim 2500-3000 fëmijë për kinoprovë.
Besoj se ata që nuk janë marrë më përpara me aktrim mund t'i sjellin punës që bëj unë një ndjesi të realitetit dhe të forcës jetësore. Por sigurisht që më pëlqen të punoj me aktorë profesionistë dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që do të punoj me aktorët profesionistë të këtij filmi.
Si ka qenë përvoja juaj si fotoreporter?
Më thatë 3 pyetje... kam nevojë të ha diçka dhe të bisedoj se çfarë do të bëjmë pas drekës...(heziton) Fotogazetaria ashtu si edhe kinematografia, e kërkon që të dalësh nëpër botë për të zbuluar gjëra të reja. Të dyja kanë të bëjnë më shumë me vrojtimin e realitetit se sa me imponim e konceptit tënd për botën për atë çfarë të zënë sytë.
Pra qëllimi është t'i përgjigjesh realitetit më shumë se sa të detyrosh vështrimin tënd. Fotogazetari do të thotë të shkosh në vende që nuk i njeh dhe të dëshmosh për to, të përpiqesh që ta shndërrosh një vend, një territor, në një trashëgimi që të jetë kuptohet nga njerëz të tjerë.