E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro do revokuim, refuzohet

"REMZI HOXHA"

Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi kërkesën e avokatit të ish- kreut të SHIK-ut, azilant në Angli, me pretendimin se i është shmangur drejtësisë


Pasi iu shmang ekstradimit në Shqipëri, Avokati i Kumbaros tha se procesi po ecën me dy standarde, pasi të akuzuarit e tjerë po gjykohen në liri

TIRANË- Seanca gjyqësore e radhës në ngarkim të ish-drejtuesve të SHIK-ut në vitet 1995-'96, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, të akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe dy personave të tjerë, vazhdoi dje me "debate juridike" mes avokatit të Kumbaros t dhe trupit gjykues të çështjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda.


Kjo pas kërkesës së avokatit Vojo Bregu, për revokim të masë së arrestit me burg për klientin e tij Kumbaro, e dhënë pak muaj më parë për të. Sipas pretendimeve të avokatit, kjo trupë gjyqësore duhej të revokojë vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg" në mungesë, pasi po e shqyrton dosjen me dy standarde.


"Në këtë procedim penal, përveç Ilir Kumbaros janë edhe dy të pandehur të tjerë. Për ta kjo gjykatë nuk ka dhënë asnjë masë sigurie apo shtrënguese. Kjo lë të kuptohet se ky trup gjykues po e sheh çështjen me dy standarde,- tha avokati Bregu.


Kërkesën e tij e kundërshtoi prokurori i çështjes, Xhevat Hana, që u shpreh se "kërkesa nuk duhet pranuar për shkak se i pandehuri i fshihet drejtësisë prej vitesh, deri sa mohoi edhe identitetin e tij prej shumë kohësh".


Pas dëgjimit të palëve, pesëshja gjykuese e Gjykatës së Krimeve të Rënda u tërhoq në dhomën e këshillimit për të dalë pas 20 minutave me një vendimit të ndërmjetëm, ku u vendos rrëzimi i kërkesës së avokatit Bregu, duke e cilësuar jo të bazuar në ligj.


Sipas diapozitivit, i pandehuri Kumbaro prej vitesh po i fshihet drejtësisë duke përdorur edhe të dhëna personale të personave të tjerë, vetëm e vetëm që mos të përballet me drejtësinë.


Por, ky vendim i ndërmjetëm i argumentuar nga pesëshja gjykuese, nuk u prit mirë nga avokati Bregu, i cili menjëherë pas këtij vendimi kërkoi përjashtimin e pesëshes gjykuese. "Kërkoj përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të kësaj çështjeje, pasi nuk mund të vazhdoni gjykimin e çështjes me objektiv.


Ju keni shqyrtuar të gjitha provat për tu shprehur me vendim në lidhje me masën e sigurisë, kështu që ju e keni paragjykuar çështjen pa pasur një vendim",-tha avokati Bregu, i cili kërkoi kohë të depozitojë pranë kryesekretarisë kërkesën për përjashtimin e pesëshes gjykuese.


Por, para shqyrtimit të këtyre kërkesave të avokatit mbrojtës, pesëshja gjykuese lexoi konfirmimet e ardhura nga Italia për letër-porositë e dërguara për marrjen në pyetje të ish-punonjësve të SHIK-ut të asaj kohe shtetasit Eduart Çoku dhe Riza Shehu. Sipas përgjigjes së ardhur me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, letër-porositë kanë marr rrugë për ekzekutimin e tyre.


Ndërkohë, është dërguar edhe në drejtim të shtetit të Holandës një letër-porosi për marrjen në pyetje të shtetasit Avdyl Loshaj, njëri nga viktimat, sipas akuzës, të tre ish-drejtuesve të SHIK-ut të cilët pas rrëmbimit e kanë torturuar dhe më pas lënë të lirë. Të tre të pandehurit akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për rrëmbimin dhe torturimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ky i fundit edhe pas 15 viteve ende nuk është gjetur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›