Josip Kuzhe kërkon fitore përballë Irlandës së Veriut
Trajneri Josip Kuzhe e ka cilësuar mjaft të rëndësishme miqësoren e sotme kundër Irlandës së Veriut. Drejtuesi i stolit të Shqipërisë kërkon ta fitojë sfidën e parë të vitit 2010, edhe pse objektivi kryesor është konsolidimi i lojës së skuadrës dhe përgatitje për eliminatoret e Euro 2012. Një prej pikave ku kroati ka vendosur theksin janë problemet e kuqezinjve në mbrojtje.
Miqësorja me Irlandën e Veriut, sa e rëndësishme është për Shqipërinë dhe çfarë synohet në këtë ndeshje?
Në këtë ndeshje miqësore do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë, por edhe të përgatitemi për eliminatoret e Europianit. Përballë Irlandës së Veriut do të punojmë të krijojmë një atmosferë sa më të mirë brenda grupit dhe të konsolidojmë lojën si skuadër. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të ardhmen, ndërsa pozitiv është edhe fakti se kundërshtari është mjaft i fortë. Aty do të vlerësojmë nivelin e lojës sonë, për këtë arsye e shoh si një test të mirë. Megjithatë kërkojmë edhe rezultat të mirë për moralin e ekipit dhe për tifozët: unë dhe skuadra kemi dëshirë të fitojmë në çdo ndeshje.
Ku do të përqendroheni më tepër për përmirësimin e skuadrës?
Kur u emërova në krye të stolit, analizova me kujdes lojën e Kombëtares shqiptare dhe ato që spikatnin ishin një mbrojtje e fortë dhe vështirësitë e theksuara të sulmit. Skuadra kishte shënuar tre gola vetëm kundër Maltës dhe kjo bëri të domosdoshëm përmirësimin e lojës sulmuese. Por, më pas u shfaqën probleme në mbrojtje, e këtu mund të veçoj ndeshjen me Suedinë. Tashmë detyra jonë është të ndërtojmë një mbrojtje efikase dhe të përmirësojmë manovrat ofensive.
Mavraj ishte një alternativë e mirë, por pas refuzimit të tij keni menduar të riktheni Admir Telin në përfaqësuese?
Nuk mund të them me siguri të plotë se Teli do të jetë pjesë e Kombëtares, por emri i tij është diskutuar në stafin teknik. Madje, mund të them se në këto 3-4 ditët e fundit, ai ishte tema e ditës. Megjithatë, nuk kemi folur vetëm për Telin, pasi në të vërtetë duhet të afrojmë të paktën edhe dy mbrojtës në skuadër.
Ky është një problem, pasi prej kohësh Shqipëria po vuan në këtë repart…
Jam munduar të gjej lojtarë mbrojtës në Superiore, por alternativat e deritanishme nuk kanë qenë të përshtatshme. Jo se jam i pakënaqur, por nuk jam plotësisht i bindur për ndonjë individ. Kemi mungesa në qendër të mbrojtjes dhe duhet të sforcohemi shumë për të gjetur një lojtar në këtë pozicion. Pavarësisht këtij problemi, në punën tonë duhet të jesh i përgatitur për momente të vështira.
Pas “zborit” thatë se Pisha është në planet tuaja, por nuk e grumbulluat në këtë miqësore. A mund të jetë kapiteni i Dinamos një alternativë, apo keni ndryshuar mendim?
Absolutisht jo. Pisha ka mjaft eksperiencë dhe këtë e ka treguar në Antalia, por edhe në miqësoren në Kosovë. E respektoj faktin se pavarësisht moshës ai është i gatshëm për Kombëtaren, e nëse do të më nevojitet do ta aktivizoj. Por, kundër Irlandës së Veriut dëshiroj t’i jap një shans lojtarëve të rinj dhe në mbrojtje mendoj se Lila e meriton të ketë hapësira.
Disa lojtarë, prej të cilëve prisni që të japin më shumë në fushë?
Objektivi kryesor është loja në grup, përmirësimi në këtë aspekt, por edhe mënyra sesi lojtarët e veçantë arrijnë të përshtaten me filozofinë e lojës së skuadrës.
Në skuadër përveç kapitenit Lala, është rikthyer edhe portieri Arjan Beqaj, i cili mungonte prej shumë kohësh…
Paraqitjet e Beqajt i kam vëzhguar vetëm nëpërmjet DVD-ve, por asnjëherë nuk e kam ndjekur nga afër në aksion. Ai është një prej shtyllave më të forta të ekipit dhe pres që të jetë një element i rëndësishëm i Shqipërisë.
Shqipëria i nis eliminatoret me ndeshjen kundër Rumanisë. Një start i vështirë, edhe sepse luajmë në fushë kundërshtare…
Për të qenë i sinqertë nuk më pëlqen të luaj me ekipet lindore, të cilat kanë tendencën të mos jenë tërheqëse për lojtarët dhe për tifozët, ndërkohë që janë edhe kundërshtarë shumë të fortë. Ka ende kohë përpara se ndeshja të luhet dhe mendoj se ne kemi shanset tona. Besoj se do të jemi gati për këtë sfidë.
#