Ushtria profesioniste, bien dosjet penale në Gjykatë
Bien ndjeshëm indisiplinimet e ushtarakëve, që duket se e kanë vlerësuar shumë mirë faktin që nga 1 janari ata janë pjesë e një ushtrie profesioniste. Nëse si të mbartura nga viti i kaluar në janar të këtij viti u shqyrtuan rreth 20 dosje penale ushtarake, për muajin shkurt në gjykatë janë regjistruar vetëm katër të tilla. Referuar të dhënave të gjykatës, dy çështje u takojnë largimeve pa leje nga reparti, ndërsa dy të tjera mosparaqitjeve në repart, e një prej këtyre të fundit i takon një oficeri. Një vit më parë, togat e zeza kanë gjykuar plot 214 dosje penale ushtarake. Kjo e dhënë është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Faktit dhe u takon statistikave të analizës së punë së këtij institucioni. Shqipëria nga 1 janari i këtij viti do të ketë vetëm Ushtri Profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Në vendimin e gjykatës, pas gjykimit të këtyre çështjeve, dënimet kanë qenë të lehta shkojnë nga 10 deri në 30 mijë lekë. Ushtria Shqiptare do të ketë një trupë me rreth 3600 vetë, ndër këta rreth 12 për qind ose 430 prej tyre do jenë femra. Edhe vajzave, përveç një pagesë të kënaqshme, u jepet mundësia edhe për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Të rinjve që plotësojnë kriteret për t’u bërë ushtarë profesionistë, në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, u ofrohen vetëm 9 javë stërvitje bazë në Br.S.Bunavi dhe pastaj punësim në Forcat e Armatosura si ushtarë profesionistë. Të gjithë të rinjtë të cilët duan të bëhen pjesë, duhet të kenë moshën 19 deri në 30 vjeç.
#