E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju njohim së shpejti

Kryetari i Asamblesë Nacionale të Kuvajtit, Jasem Mohamad Al Kharafi, ka paralajmëruar të shtunën në Prishtinë, se vendi i tij shumë shpejt pritet ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Ai këto komente i bëri pas takimit që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilit i ka konfirmuar se Qeveria e Kuvajtit shumë shpejt do ta njohë realitetin e ri të krijuar në vendin tonë.

“Mua më ka njoftuar kryeministri i Kuvajtit se udhëzimet e udhëzimet e princit të Kuvajtit kanë qenë drejt njohjes së Kosovës dhe janë drejt njohjes së Kosovës, dhe në ditët e caktuara të ardhshme do të jetë edhe njohja e Kosovës zyrtarisht. Shpresoj se do të kemi dobi të dy vendet edhe para njohjes, por edhe pas njohjes në rritjen e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe shpresoj se si dy vende të mos humbim kohë që praktikisht të fillojmë me hapa konkret drejt zhvillimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se edhe vizita e delegacionit të Kosovës në maj të këtij viti bërë Parlamentit të Kuvajtit, por edhe vizita e sotme e delegacionit parlamentar kuvajtjan tregon për miqësinë e cila po ndërtohet në mes dy vendeve.

“Mund të them se Parlamenti i Kuvajtit e ka njohur Kosovën. Natyrisht ne presim që Qeveria që është përgjegjëse për ta zyrtarizuar ose formalizuar njohjen e pavarësisë të ndodhë së shpejti dhe kështu do të hapen rrugët edhe të formalizmit edhe bashkëpunimit ne mes të dy vendeve dhe dy popujve”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, gjatë këtij takimi Krasniqi dhe Kharafi kanë biseduar për bashkëpunimin parlamentar të të dyja shteteve, për të kompensuar kohën e humbur para njohjes së Kosovës në mënyrë që këto marrëdhënie të forcohen dhe të fillojnë të përforcohen pas njohjes së Kosovës.

I pyetur për mundësinë e investimeve në Kosovë, Kharafi fillimisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të prezantojë projekte para Fondit Kuvajtian dhe të krijojë kushte të mira, në mënyrë që të nxisë investitorët nga Kuvajti për investime në Kosovë. Ai ndërkaq ka ftuar biznesmenët kosovarë që të investojnë në Kuvajt.

Al Kharafi ndodhet në Kosovë me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai gjatë kësaj vizite pritet të takohet edhe me kryeministrin Hashim Thaçi. Kosova deri më tash është njohur nga 84 vende të botës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›