Me Serbinë flasim teknikisht
Ajo ka vlerësuar se kushtëzimi i palës serbe për vazhdimin e dialogut me hapjen e temave politike nuk është asgjë tjetër pos tendencë e Serbisë për t’i ndërruar kahun dialogut teknik, kundër të cilit shprehet me këmbëngulje pala kosovare.
“Dialogu është ndërprerë pikërisht, sepse Serbia ka insistuar që të diskutohen tema politike, konkretisht çështja e pikave doganore. Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë- nuk do të ketë tema politike, të cilat janë linjë e kuqe e institucioneve të Kosovës, përfshirë rezolutën e Kuvendit”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.
Për më tepër, Tahiri rikujton qëndrimin e SHBA-ve dhe BE-së për mos ndryshimin e natyrës së dialogut, për vazhdimin e të cilit pala serbe kërkon hapjen e bisedimeve për pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
“Kërkesat dhe insistimet e reja që i bën pala e Serbisë dhe që i ka shfaqur edhe gjatë takimit me Kuper dje, në fakt janë intenca të Serbisë për të shkelur mandatin e këtij dialogu, i cili edhe me rezolutën e OKB-së është i dizajnuar të jetë vetëm teknik, prandaj për aq sa Serbia insiston për tema politike ajo do të vazhdojë të jetë bllokuese e dialogut”, është shprehur Tahiri.
Duke folur rreth takimit që do të kenë përfaqësues të institucioneve të Kosovës në fillim të javës së ardhme me ndërmjetësin e BE-së, Tahiri tha se aty pritet të shihen se cilat janë qëndrimet e palës serbe.
“Në takimin me zotin Kuper do të kuptojmë perspektivën e dialogut dhe duhet të ketë katër temat që mbeten të padiskutuara dhe për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës. Tema kryesore është implementimi i marrëveshjeve të arritura dhe vazhdimi i diskutimeve për energjinë, telekomin dhe bashkëpunimin rajonal”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.
Derisa takimi i fundit, i paraparë më 27 dhe 28 shtator në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është mbajtur me fajin e kësaj të fundit, raundi i radhës sipas Tahirit do të mbahet vetëm nëse konfirmohet se nuk do të ketë hapej të temave politike ashtu sikurse insiston Serbia.
“Është dhënë një propozim nga ana e Bashkimit Evropian data 14 tetor, por kjo mund të konfirmohet vetëm pas takimeve me zotin Kuper dhe pas konfirmimit se dialogu dhe raundi i ardhshëm do të jetë vetëm teknik.
Kuper nuk mund të dalë nga mandati që ka dhe rezoluta e OKB-së e shtatorit 2010 për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shteteve të pavarura, vetëm për çështje teknike”, është shprehur Tahiri.
Ndryshe, shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq ka thënë dje, pas takimit me ndërmjetësin e BE-së Robert Kuper, se dialogu me Kosovën do të vazhdojë vetëm pas hapjes së bisedave për pikat kufitare në veri.
Sipas tij, gjatë takimit të hënën në Prishtinë ndërmjetësi Kuper do t’ua bëjë me dije autoriteteve të Kosovës kushtin e palës serbe për vazhdimin e dialogut.
Dialogu i sponsorizuar nga BE u ndërpre më 27 shtator pas një vale të re të dhunës në veri të Kosovës ku popullata lokale serbe, ka ngritur barrikada të reja në shenjë kundështimin ndaj shtrirjes së kontrollit të Prishtinës zyrtare edhe në këtë pjesë të vendit.