E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jul Çezarit historia ndërthuret me aventurën

Libri: “Perandori- Vdekja e mbretërve”

Autori: Conn Iggulden

Përktheu: Abdurrahim Myftiu

Botimet: Linus

Në këtë libër të dytë të serisë “Perandori”, me të cilën Conn Iggulden fitoi në mbarë botën emër, si një ndër shkrimtarët më të shquar të romanit historik, vazhdon rrëfimi i historisë së mahnitshme të Jul Qezarit, ku ndërthuret mjeshtërisht historia me aventurën, ambicia me rivalitetin, trimëria me tradhtinë. I detyruar të largohet nga Roma, djaloshi Jul Qezar nis shërbimin në një anije romake, e cila bie pre e një kurthi të ngritur nga piratët, në ujërat e rrezikshme të Mesdheut. Pas disa muajsh mjaft të vështirë, si peng të piratëve, Juli me shokët e vet legjionarë, braktisen në brigjet e shkreta të Afrikës së Veriut. Megjithatë, ai ia del mbanë të mbledhë një grup rekrutësh e të ngjizë me ta një njësi të aftë, për t’u hakmarrë ndaj piratëve e më tej, për të shtypur revoltën që ndërkohë kishte shpërthyer në Greqi. Më në fund Jul Qezari kthehet në Romë si hero, por njëkohësisht armiqtë e tij tashmë nisin ta shohin gjithnjë e më shumë si një kanosje. Në Romë, ai takohet sërish me Brutin, shokun e tij të fëminisë, por pa shkuar shumë, të dy shokët thirren sërish për të luftuar kësaj here kundër një armiku të ri, një gladiator i quajtur Spartak me një ushtri prej 70.000 skllevërish, po kanoste vetë ekzistencën e Romës. Pas ciklit “Perandori”, kushtuar figurës së Jul Qezarit, që e bëri të famshëm në mbarë botën, Conn Iggulden (lindur në Angli, më 1971), ka botuar ciklin “Pushtuesi”, kushtuar Xhingis Khanit. Sot Iggulden konsiderohet një ndër shkrimtarët më të shquar të romanit historik. Të gjitha veprat e tij kanë qenë në krye të listës së bestseller-ve, si në SHBA ashtu dhe në Angli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›