“Falja e gjakut”, nga festivali Torontos premierë në Tiranë
“Falja e gjakut”, filmi që çoi kinematografinë shqiptare në podin e fituesit të Festivalit të Filmit në Berlin, do të shfaqet për herë të parë edhe për publikun shqiptar, në mesin e muajit shtator, nga data 16-18. Premiera aq e diskutuar e këtij filmi, që iu mohua mbështetja nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, do të vijë për shqiptarët nga vetë realizuesit e filmit, ose më saktë nga stafi shqiptar që ka qenë pjesë e suksesit të filmit. Skenaristi Andamion Murataj, këto ditë në Tiranë, po merret me organizimin e premierës së filmit fitues të Ariut të Argjendtë në Berlin, pikërisht për skenarin më të mirë. Por rrëfimi i familjes shqiptare, që bën një jetë të izoluar për shkak se ka hyrë në gjak me një tjetër familje, po nga ai fshat, po vazhdon serinë e shfaqjeve jashtë Shqipërisë. Pas prezantimin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sidnei, që u zhvillua në Australi, “Falja e gjakut” do të udhëtojë drejt Torontos si e ftuara e festivalit. Filmi i regjisorit amerikan, Joshua Martson, bazuar në skenar të Andamion Murataj, do të shfaqet jashtë konkurrencës në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos, i cili sivjet mban edicionin e 36-të. Festivali prestigjioz do të nisë rrugëtimin më 8 shtator, me shfaqjen e dokumentarëve për rock grupet legjendare “U2” dhe “Pearl Jam”. Vetë regjisori Martson, nëpërmes faqes së tij në facebook, ka paralajmëruar edhe premierën e filmit në Shqipëri pas kthimit nga Toronto. “Posa u ktheva nga festivali i filmit në Sarajevë me ‘Faljen e gjakut’. Ishte një shfaqje për 2 mijë e 500 persona. Jemi duke pritur shtatorin: Festivalin e Filmit në Toronto dhe premierën në Shqipëri, më 16 shtator në Tiranë dhe 17 shtator në Shkodër” - shkruan Martson në faqen e tij. Ndërkohë, me anën organizative në Shqipëri po merret skenaristi shqiptar, Andamiom Murataj. Vetëm një muaj më parë, Murataj kërkoi mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, për të sjellë premierën e filmit në Tiranë. Një projekt që u hodh poshtë nga Bordi i QKK-së, në mbledhjen e radhës, me arsyetimin se ky nuk është një film që është realizuar me mbështetjen e qendrës. Jo vetëm falë suksesit, çmimeve të shumta apo lojës së aktorëve, por sidomos falë subjektit, realizuesit e filmit “Falja e gjakut” nuk e kanë pasur aspak të vështirë të gjejnë distributor në vendet kryesore, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Australi, por kanë hasur vështirësi në Shqipëri. Pavarësisht suksesit që arriti ky film, në shkurt të këtij viti, në festivalin e Berlinit, ku regjisori amerikan Joshua Marston dhe bashkëpunëtori i tij, Andamion Murataj, fituan çmimin e skenarit më të mirë për filmin “Falja e gjakut” asnjë financim nuk ka marrë ky film nga pala shqiptare, edhe pse trajton një fenomen shqiptar dhe pjesa më e madhe e stafit realizues (skenarist dhe aktorë) janë shqiptarë. Filmi e merr temën nga gjakmarrja në Shqipëri. Në fakt, dy skenaristët e kanë parë fenomenin e gjakmarrjes në një këndvështrim krejt tjetër, si në ballafaqim mes të resë dhe të vjetrës. Filmi pas Festivalit të Torontos, do të fillojë të shfaqet më në fund edhe në kinematë e Tiranës.