E Diel, 1 Nëntor 2026

Busti i diktatorit u rrëzua me fotografitë e Kadaresë dhe Qoses

SHKRUAN: Visar Zhiti 05-08-2011 14:11

Në kohën kur shembej Muri i Berlinit, në vendin tim hiqeshin statujat e fundit të Leninit dhe të Stalinit, kurse shtatorja e lartë e diktatorit Enver Hoxha u rrëzua nga turmat, që ishin ngritur në protesta dhe u zvarrit si një përbindësh i bronztë rrugëve të kryeqytetit. Rastësisht u njoha me një gjerman, që kishte ruajtur copëra gurësh nga Muri i Berlinit. I kërkoj një... "Po më dhe ndonjë copë nga statuja e diktatorit tuaj", - më tha. Dhe kështu bëmë shkëmbimin në natyrë, i dhashë pak mermer nga piedestali i Enver Hoxhës dhe mora një copëz guri nga Muri i Berlinit. Teksa e mbaja në dorë, përveç të tjerash, mendova dhe këtë metaforë tronditëse për mua. Statuja e diktatorit mund të barazohej me muret, që ndanin atdheun nga vendet e tjera, nga Europa, ne brenda na ndante dhunshëm me njëri-tjetrin, madje secilin e ndante tragjikisht nga vetvetja. Mendoni letërsinë nën të tilla mure. Ndërkaq dua të shtoj se në demonstratat tona në Shqipëri, kur sapo ishte shembur Muri i Berlinit, studentët dhe turmat e revoltuara, që bërtisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ngrinin lart dhe dy portrete shkrimtarësh shqiptarë, atë të Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses, ky i dyti nga Kosova, mes të cilëve kohët e fundit plasi një konflikt për identitetin europian të shqiptarëve, ndërkohë, së fundmi fare, kritiku Qose hodhi në shtyp mendimin provokues se letërsia shqipe nuk është në nivelin europian. Menjëherë e kundërshtuan disa shkrimtarë të tjerë, duke thënë se letërsia shqipe është në nivelin europian. Pata rast të ndërhyj dhe unë në një gazetë shqiptare. Thashë që letërsia shqipe thjesht është letërsi europiane, se shkruhet nga shkrimtarët e një populli që jeton në Europë. Këtë mendim kishte dhe një albanalog kanadez, kurse një shkrimtar rumun do të thoshte në mënyrë paradoksale se Letërsia shqipe është më e fortë se Shqipëria. Në ndërhyrjen time në gazetë shtoja se ne kemi çështje më të rëndësishme. Ndër të tjera mund të diskutohet për letërsinë dhe rolin e saj në robëri dhe në liri, para dhe pas rënies së Murit të Berlinit ose shtatores së diktatorit, se, siç thashë, janë e njëjta gjë. Në Shqipëri, ku ishte e ndaluar disidenca dhe fjala e lirë, ku janë dënuar shkrimtarë, varre shkrimtarësh dhe libra, madje ka ndodhur ajo që s'ka ndodhur kurrkund në asnjë kohë, as në rendin skllavopronar e as në mesjetë, ka qenë e dënuar metafora, prandaj dhe janë pushkatuar poetë. Dua të them se në Shqipëri tani ka dhe një letërsi tjetër, që vjen nga ferri, del nga burgjet dhe balta e internimeve, ringjallet nga varret. Kjo letërsi nuk është kundër letërsisë, siç i trembeshin, thjesht sjell vetveten.

Një sekret imi si intermexo

... Më burgosën, kur isha 26 vjeç, mësues në një fshat në kufi me Kosovën, nga që kisha shkruar poezi pesimiste dhe hermetike. Nuk lejohej të ishe i dëshpëruar, edhe pse ishin kushtet e tilla dhe më mbyllën më hermetikisht se ç'ishin poezitë e mia. Akt ekspertizën nuk e bënë policët e censurës, as hetues e prokurorë, por shkrimtarë të socrealizmit. Dhe u dënova me 10 vjet burg, por dhe që të mos shkruaj më e të mos botoj kurrë. Në qeli vërtet ishte e pamundur të shkruaje, qenë të ndaluar letra, pena dhe libri. Të ndaluara ishin dhe tjetri dhe vetja. Kam treguar në librat e mi se kam krijuar poezi me mend dhe jo pak, kam treguar se si ka vepruar ai mekanizëm, aq sa fillova të besoj këmbëngulshëm se Homeri i verbër ka ekzistuar. Në kampin me të burgosur, ku ishim qindra dhe mijëra, një mik im më tha se poezitë na i shpërnda, që t'i mësojmë dhe ne, se ti ndoshta vritesh në minierën ku punonim si skllevër, pse të humbin edhe poezitë bashkë me ty. Ashtu bëmë. Dhe po guxoja të shkruaj poezi, kuptohet fshehurazi, nga që lejohej të shkruaje dy letra në muaj familjes, kurse denoncime mund të bëje çdo ditë. Pra bëja sikur po shkruaj letrën e radhës a denoncimin tim te Zoti. Poezitë i fshihnim në thasët me ushqime, në kashtën e dyshekut, brenda në këpucë, nën tokë, shumë shokëve u janë kalbur dorëshkrimet, unë pata fatin t'i nxjerr e ta botoj shumicën më vonë. Por duhet thënë se ne krijuam ashtu dhe e lexuesin e fshehtë në burg, që ishte i dënueshëm, po të zbulohej, po aq sa autorët. Mirënjohës atyre, që jo vetëm nuk na spiunuan, por dhe na mbajtën. Krijoja aq sa mundja, më shumë, kudo, me mend, në rresht, në punë, në deliret e gjumit, i rishkruaja, doja të dëshmoja, doja të lija testamentin tim.Por e vërteta është dhe më e thellë. Ja sekreti im: krijoja, jo sepse besoja verbërisht në to, as te botimi i tyre, që as guxoja ta ëndërroja, fama s'më interesonte fare, se më mungonte jeta, por, duke shkruar si i marrë, doja të shpikja emocionin e njeriut, emocionin e rrallë dhe të bukur dhe në ferr, atë të ndaluarin. Se në çastin që unë krijoja, arrija lirinë time, ekstazën dhe telat me gjemba, si një lloj Muri Berlini, por më banal, vetë armët e ushtarëve të rrethimit, burgu i gjithë, atdheu-burg bëheshin të pavlefshëm. Fantazma im dilte somnambul dhe endej e lirë kudo.Kur krijon, atë çast s'je kurrkund, as në burg dhe njëkohësisht je kudo, bashkë me të gjithë poetët e botës, që në atë çast po shkruanin, me të gjithë ata që në atë çast po lexonin nj. poezi, le të ishte e vogël, si puthja me të vdekurin. Unë prodhoja fshehurazi emocionin tim të të gjallit, ribëja jetën time.

Një komb, dy shtete dhe letërsia e tyre

Letërsia shqipe beson se është më e mirë se kurrë. Dhe mbase ashtu është vërtet. E lirë dhe bashkë si asnjëherë. Telat me gjemba të kufirit, ashtu si Muri i Berlinit janë një ankth i keq, i tejkaluar, edhe pse aviten shpesh fantazmërisht dhe ngjallin frikë. Letërsia shqipe zhvillohet në dy shtete shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën më të re në botë, në atë të Kosovës, po dhe në Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë, në Greqi e Itali, Gjermani e Francë e SHBA. Ka pjesën e saj tokësore, që është proza, sipas meje, atë qiellore, le të themi poezia më e mirë, dhe atë të nëndheshme, të ndaluarën, që solli të vërtetën dhe moralin, për të cilat, besoj, se letërsia ka nevojë patjetër dhe për to. Po lulëzojnë metafora, realizmi magjik i tipit shqiptar, ironia, zvetënimi, por edhe banaliteti, më shumë sesa dashuria. Ka pak ideale, pak karaktere, hije më shumë, antiheronj, ekzistencializëm dhe absurd, vlera artistike dhe aluvione të fjalës. Letërsia nuk ka frikë më, por sipas meje, ata që shkruajnë mund të mos ia kenë frikën asgjëje, asnjë lloj burgu e muri, është tjetër gjë kujdesi, mund të mos kesh frikë as nga frika, por asaj që shkruajnë duhet t'i tremben medoemos. Letërsia duhet të trembet nga vetvetja. Sot në Shqipëri dalim më shume dy libra në ditë, të të gjitha llojeve, poezi me tepri dhe prozë me të vërtetë prozë, tregime ose bashkime të tyret që përzgjaten në romane, ese pak dhe kujtime, kujtojnë ish të burgosurit dhe ish persekutorët, megjithatë s'bëhet dhe aq për kujtesën kolektive, sjellin histori, sociologji, erotikë e rëndomtë, përkthime, modernët e munguar, filozofët e ndaluar, Niçe, Frodi, Kiergegard, nobelistët, madje dhe të gjallët, i fundmi fare, megjithëse përkthehen shpejt e shpesh pa leje të autorit a botuesit, hajdutçe. Teksa kërkohet të rishkruhet dhe historia e letërsisë shqipe, ndodh që një vogëlushe 12 vjeçare të botojë romanin e saj të parë, kurse një 70 vjeçar të botojë librin e parë me poezi. Shkrimtarët e socrealizmit të mërzitshëm tani janë bërë ekzistencialë, ca kanë humbur më shumë e ca kanë pasur sukses më shumë. Kadare vazhdon të jetë në krye. Zija Cela në Tiranë, Mehmet Kraja në Prishtinë, Luan Starova dhe Kim Mehmeti në Maqedoni, Ardian-Cristian Kuçuku në Rumani, etj., po sjellin realitete të reja letrare me një nivel të lartë artistik. Europian, do të thosha, po të isha futur në polemikën që përmenda në krye. Gjithashtu ka një përmbysje në koncepte: Forma ka marrë rëndësinë më të madhe se sa Përmbajtja. Dukuri kryesore, sipas meje, mund te janë: a)zbulimi i vlerave të mbuluara b) rizbulimi ndryshe i asaj që ishte c)prurjet e vlerave të reja d) ndryshimet në hierarkinë e vlerave. Nuk vendos më shteti për rëndësinë e veprave dhe të autorëve, megjithëse lipset që shteti të bëjë më shumë për kulturën, librin dhe krijuesit dhe ndjehen tradicionalizmi dhe ndikimet politike ndonjëherë. Shkrimtari ndjehet pa mbështetje, madje me një realitet kundër, indiferencë kërcënuese, por ama janë hapur librari të mëdha si në Romë e Paris e shkrimtari është i lirë të ikë kudo, madje edhe të çmendet. Është interesante të tregohet dhe një dukuri e re. Shqiptarët po mërgojnë, jo vetëm në vende të tjera, por dhe në gjuhë tjera, po i shkruajnë veprat e tyre në anglisht e frëngjisht, gjuhë me të cilën së fundmi Jusuf Vrioni botoi kujtimet e tij të burgut, kurse në italisht Amik Kasoruho, Eugjen Merlika, kurse bij të ish të burgosurve po shkruajnë romanet e tyre. Siç duket për vuajtjet tona s'mjaftuaka një brez dhe as vetëm një gjuhë. Kanë spikatur Ornela Vorpsi dhe Ron Kubati. Dua të kujtoj këtu dhe shkrimtaren Elvira Dones, si dhe poetin Gëzim Hajdari, që po shkruan njëherësh në të dy gjuhët, duke dhënë më mirë se kushdo odisenë e emigrantit. Të jesh shkrimtar shqiptar është dhe aventurë vuajtjeje, ku fati tregohet shumë i kursyer, se vërtet ke privilegjin të shkruash në një gjuhë të lashtë indo-europiane, gjuhë hyjnore, gjuhë perëndish, siç thoshin rilindësit tanë, por tani s'ka më as gjysmë perëndish dhe këtë gjuhë e flasin jo më shumë se 7 - 8 milionë njerëz, të ndarë në disa shtete në Ballkan, ku herë pas here shpina e tjetrit, e institucioneve, madje dhe shpina e madhe e Europës, të nëpërmendin Murin e Berlinit, që edhe pse i shembur, është i rrezikshëm dhe si kujtim. Letërsia shqipe po bashkon copat e saj tani. Kështu më duket. Edhe shkrimtarët shqiptarë po mbledhin gjymtyrët e tyre pas katastrofës. Mjafton dhe kaq për të besuar te letërsia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›