E Diel, 1 Nëntor 2026

Juliana Pasha: Gjërat në jetë më kanë ardhur ngadalë

Në ditën pas finales këngëtarja tregon ndjesitë e çmimit të parë në Festivalin e Dhjetorit, për krijimin plot ritëm të Gjebresë dhe sfidën e radhës: Festivalin Evropian të Këngës.

"Kam marrë çmimin e parë në festival". Ndjesia e parë që këngëtarja Juliana Pasha ka në mëngjesin e pasfinales, rimbushja e duhur ndoshta për të përballuar një ditë në qendër të vëmendjes për intervista, takime, urime miqsh. Ajo mori çmimin e parë në Festivalin e 48-të të Këngës në Radio Televizion, me krijimin e Ardit Gjebresë "Nuk mundem pa ty", që ishte edhe autori i tekstit bashkë me Pirro Çakon. Krijimi i Gjebresë mori pikët maksimale nga juria e festivalit, që këtë vit, kriter vlerësues kishte krijimin dhe jo interpretimin. "E kam ëndërruar shpesh këtë çmim dhe tani që e mora, ndihem shumë mirë", shprehet Pasha, fjalë që nuk mundi t'i thoshte mbrëmë në skenën e festivalit e pushtuar nga emocionet dhe lotët. Edhe pse pritja entuziaste e publikut gjatë 3 netëve që interpretoi, mund të zgjonte një parandjenjë të mirë për finalen, duket që këngëtarja ka ndjerë nevojën e konkretizimit të saj, më saktë të fjalëve të prezantuesve: "Çmimi i parë i takon...". Vihet re tek thjeshtësia e fjalëve të Julianës. "Në festival jam futur me idenë që të dal sa më mirë. I jam lutur Zotit që të dal sa më mirë, asnjëherë që të merrja çmim." Kështu, ajo nuk di as si ta quajë rastësinë e çmimeve të marra në festivalet e tre viteve të fundit. Në vitin 2007, Pasha ka marrë çmimin e tretë të festivalit me këngën "Një qiell i ri", me muzikë të Endri Sinës, vargje të Saimir Brahos. Kurse vitin e kaluar, dueti me Ljuis Ejllin "Një jetë", krijuar nga Shpëtim Saraçi, tekst të Turian Hyskajt, u vlerësua në vend të dytë. Festivali i 48-të, përveç shijes së fitores, i jep edhe një biletë për Festivalin Evropian të Këngës, Oslo 2010.
"Ka punë shumë të madhe përpara. Vërtet kam dhënë maksimumin këtu në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, por atje do të duhet një punë e jashtëzakonshme sepse bëhet fjalë për të përfaqësuar Shqipërinë", shprehet këngëtarja.
Kënga "Nuk mundem pa ty", evidentoi edhe njëherë vokalin e veçantë të Juliana Pashës, i përshtatshëm për ritmet blues, jazz, soul, i ndjeshëm dhe potent për skenën "live". Por, çelësi i vokalit gjendet gjithmonë në xhepin e kompozitorit. "Vjet, pas festivalit, unë kam pasur një takim me Arditin. Më propozoi direkt një bashkëpunim për këtë festival. Që atë moment e pranova me shumë kënaqësi. Ishte nder për mua të kisha këtë këngë prej Arditit dhe e vlerësoj shumë bashkëpunimin me të, një ndër më të bukurit që kam patur", tregon ajo për punën me Gjebrenë.
Pas mungesës 4-vjeçare në skenën e festivalit, Pasha e theu heshtjen në vitin 2007 me këngën "Një qiell i ri". Përveç 3 festivaleve të dhjetorit, vitin e kaluar është prezantuar në "Këngën Magjike" me "Një mijë arsye".
Po a e ka pasur të vështirë për ta krijuar dhe ruajtur individualitetin e saj artistik në një terren muzikor që vazhdon të eksperimentojë, që çdo ditë provon dhe nuk skarcon, nuk ka vlera të përvijuara qartë dhe vazhdon të përpëlitet për një identitet.
"Sigurisht që ka vështirësi. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes, duhet të jesh e përgatitur në çdo moment. Besoj se ia kam dalë duke bërë pak e nga pak. Gjërat në jetën time kanë ardhur ngadalë, por kanë ardhur fuqishëm", përfundon fituesja e Festivalit të Dhjetorit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›