E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada, shembet bajpasi i Kukësit

Shembja ka ardhur për shkak të shirave të ditëve të fundit, duke bërë që rruga të mos e kalojë provën me motin e keq
KUKËS- Me ardhjen e dimrit fillojnë edhe problemet e para në autostradën Kukës-Morin. Bajpasi në hyrje të qytetit të Kukësit është shembur duke mos e kaluar "provën" ndaj motit të keq që karakterizon këtë zonë. Shëmbja ka ndodhur ditën e hënë, pas shirave të rrëmbyeshëm, duke rrezikuar jetën e disa familjeve të cilat kanë shtepitë në kodrën sipër rruges. Po ashtu, nga shembja rrezikohen edhe përdoruesit e rrugës që duan të hyjnë në Kukës.
Ndërmarrja e Rrugëve është mjaftuar me heqjen e disa dherave ndërsa krerët e saj bëjnë të ditur se ndjehen të pafuqishëm për eleminimin e saj pasi për rregullimin e së cilës, sipas tyre, duhen fonde të konsiderueshme.
Ky bajpas është vënë në funksionim rreth dy muaj më parë. Segmenti ka filluar së ndertuari fillimisht si pjesë kryesore e arteries së autostradës Kukes-Morin, por më pas është shndërruar në rrugë hyrese të qytetit. Në periudhen kur ndryshoi projekti, në segmentin që më pas u shndërrua në rrugë hyrese për në qytetin e Kukesit ishin realizuar më shumë se 500 mijë Euro germime.
I kontaktuar nga "Shekulli", njëri prej supervizorëve të firmës që administron rrugën tha se projekti i këtij aksi është me mjaft defekte, pasi në pjesën që ka ndodhur shembja nuk kanë qenë të planifikuar mure mbajtese betoni, apo gabianë, megjithëse strukturat e dheut janë të paqendrueshme. "Projektet në Shqipëri behen pa oponencë. Kjo është me pasoja per cilësinë e investimeve që realizohen në këtë vend. I tillë është edhe rasti bajpasit të Kukësit ku projekti paraqet mjaft mangesi", - tha ai duke shtuar se punimet për ndërtimin e kësaj vepre kanë qënë pa cilësi.
Gërmimet për ndërtimin e kësaj rruge janë kryer në periudhen tetor 2006-mars 2007. Tashmë kanë kaluar dy vite keshtu që ky aks është jashtë afatit të garancisë. Specialistët theksojnë se është e domosdoshme nderhyrja urgjente e shtetit, konkretisht e Ndermarjes së Rrugeve me një projekt me mure mbajtes apo me rrjetë për të shpetuar jetën e familjarëve dhe rrugën në terësi nga dëmtimi i plotë i saj.
Ndërkohë, shirat e këtyre ditëve kanë nxjerrë në pah edhe defekte të tjera në aksin kryesor të autostrades Kukes-Morin. Është pikërisht segmenti poshtë qytetit të Kukesit, ku ujërat kanë dalë mbi rrugë. Kjo ka ardhur si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza dhe të bardha të disa familjeve që i kanë të ndërtuara shtëpitë sipër autostradës. "Kemi kërkuar bashkëpunimin e familjeve në mënyrë që ujërat të kalonin përmes tombinove, por nuk kemi gjetur bashkëpunimin e tyre", -shprehet supervizori Omer Llukovi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›