PS shpërndan kartolina ku Berisha shfaqet si pinok
PS mbyll fazën e parë të riorganizimit të saj e tërheqjes se propozimeve për ndryshimet në statut
TIRANË - Partia Socialiste ka mbyllur fazën e parë të riorganizimit të saj dhe të tërheqjes së mendimit nga anëtarësia për ndryshimet e mundshme statutore që pritet të miratohen në kongresin e ardhshëm, që është parashikuar t'i mbajë punimet gjatë muajit prill. Kështu, kanë mbaruar zgjedhjet në pjesën më të madhe të organizatave, ku janë zgjedhur drejtuesit e rinj të tyre, ndërsa është mundur të tërhiqet mendimi anëtarëve të asambleve socialiste lidhur me nevojën dhe pikat ku duhet të ndërhyhet në Statutin e Partisë. Për të raportuar lidhur me ecurinë e këtij procesi, dje në selinë rozë janë thirrur të gjithë sekretarët e PS-së në rrethe, të cilët kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e lartë të partisë. Burime pranë këtij takimi bënë të ditur se për sa i përket çështjes së zgjedhjeve në organizata, procesi thuajse ka përfunduar tërësisht, me përjashtim të një numri të vogël prej tyre ku ende për arsye të ndryshme, nuk janë bërë zgjedhjet e drejtuesve të rinj. Ndërsa, për sa i përket procesit të plotësimi të pyetësorëve, që kjo forcë ka shpërndarë për ndryshimet statutore, sekretarët kanë konfirmuar se faza e parë ajo e plotësimit të tyre ka përfunduar, dhe se pritet që në ditët e para të janarit të përfundojë dhe dorëzimi i plotë i tyre në zyrat e organizimit në qendër. Më pas është parashikuar që sektori i organizimit të bëjë një klasifikim të përgjigjeve të dhëna nga anëtarësia dhe për t'ia paraqitur më parë për vlerësim grupit të punës, që është ngritur për këtë çështje, i cili gjatë muajit Janar do të nisë edhe hartimin e propozimeve konkrete për ndryshimet që do të shqyrtohen sërish me forumet partiake. Ndërkohë që sekretarët gjatë këtij takimi kanë marrë udhëzime prej drejtuesve socialistë për të nisur në fillim të vitit të ardhshëm konstituimin e asambleve rajonale socialiste. Sekretarët e PS-së në degët rajonale kanë marrë me vete edhe një sasi të mëdha kartolinash ironizuese, ku në pamje të parë paraqitet kryeministri Sali Berisha si personazhi i filmave për fëmijë, Pinoku, të cilit i rritej hunda për çdo gënjeshtër që bënte, ndërsa brenda saj janë renditur një sërë tiparesh, me të cilat, sipas selisë rozë, do të paraqitet në vitin 2010-të kriza ekonomike. Sekretarët socialistë janë udhëzuar që këto kartolina t'ia shpërndajnë qytetarëve të ndryshëm në rrethet që mbulojnë. Pas këtij takimi, sekretarët socialistë në qarqe janë ftuar në një pritje të dhënë nga kreu socialist, Edi Rama.