Jung: Jemi kundër ndarjes së Kosovës
PRISHTINE- Gjermania nuk i mbështet idetë për ndarjen e Kosovës dhe Qeveria gjermane angazhohet që të zbatohet plani i Ahtisarit dhe që EULEX-i të vendoset në tërë Kosovën. Këto komente i beri ne Prishtine, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung, pas takimeve që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët i kanë kundërshtuar kushtëzimet e Beogradit për vendosjen e EULEX-it në pjesën veriore. Ministri Jung tha se Gjermania mbështet Kosovën në zbatimin e planit të Ahtisarit, ndërsa po jep edhe një kontribut në vendosjen e EULEX-it si dhe në forcën paqeruajtëse të KFOR-it. “Ne jemi kundër ndarjes së Kosovës. Jemi për një Kosovë të bashkuar dhe mbi këtë bazë edhe e kemi mbështetur planin e Ahtisarit, duke u angazhuar që të drejtat e komuniteteve, sidomos të atij serb, të kenë një kujdes të veçantë”, tha ministri Jung. Ai shprehu besimin e tij se misioni i EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht pengesave që po paraqiten aktualisht me kundërshtimet e serbëve lokalë, të mbështetur në planin diplomatik edhe nga Beogradi dhe Moska.(a.r/rel/balkaweb)