E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina kundër idesë së ndarjes së veriut

Prishtina zyrtare i kundërshton idetë për ndarjen administrative të pjesës veriore. Këto opsione konsiderohen të dëmshme dhe në kundërshtim edhe me pakon e Ahtisarit, si bazë e zgjidhjes së statusit të Kosovës. kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i quan të papranueshme idetë që çojnë nga ndarja administrative e veriut dhe institucioneve të Kosovës. 

PRISHTINE- Përfaqësues politikë kosovarë i kundërshtojnë idetë për ndarjen administrative të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës. Këto ide janë paraqitur në media si propozim i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për bisedimet Prishtinë - Beograd, Andrew Ladley.
Ndërsa udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, deri më tash nuk kanë komentuar planet shtesë të OKB-së për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës, në anën tjetër kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i quan të papranueshme idetë që çojnë nga ndarja administrative e veriut dhe institucioneve të Kosovës.
“Është prezantuar, është plotësisht i papranueshëm. Nuk mund të ketë dy dogana, dy administrata. Kjo bie ndesh edhe me pakon e Ahtisarit”, thotë Rexhepi.

Çdo ide që çon kah ndarja konsiderohet e papranueshme edhe për opozitën. Nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, thotë se nuk është në dijeni nëse ka një plan zyrtar për ndarje administrative në veri të Kosovës, por, në çdo rast, ai thotë se planet e tilla, Prishtina duhet t’i kundërshtojë.

Kosumi thotë se bisedimet e paralajmëruara Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, duhet të bëhen transparente dhe nëse dikush flet për plane vetëm për veriun e Kosovës, atëherë, sipas tij, edhe Prishtina duhet të ngre për diskutim çështjen e Luginës së Preshevës.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për dialogun Prishtinë – Beograd, Andrew Ladely, thuhet se ka propozuar që doganat në veri të Kosovës të funksionojnë të pavarura nga sistemi doganor i Kosovës, që policia në veri të ketë komandë të ndarë nga vija komanduese e Policisë së Kosovës, si dhe që gjykatat në veri të mos punojnë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Këto propozime, deri më tani, janë kundërshtuar nga liderët kosovarë, ndërkaq mbetet të shihet se me çfarë propozimesh do të dilte Prishtina në lidhje me veriun para negociatorit të OKB-së, Ladley. (a.r/rel/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›