Jupi, debutim me fitore drithëruese në kampionat

Ka qenë dramatik debutimi i Redi Jupit si trajner/lojtar i Dinamos, pasi, duke e nisur lojën nga fusha e blertë, është pikërisht ai që e ka kaluar skuadrën e tij në epërsi, që në minutën e 9-të të sfidës ndaj Flamurtarit, të luajtur në stadiumin "Selman Stërmasi'. Por, skuadra e tij ka përjetuar minuta të fundit drithëruese në këtë takim, pasi Kuci ka barazuar për miqtë vlonjatë në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe është dashur një sulm, në castet e fundit shtesë, i finalizuar me sukses nga Artion Poci, që blutë e kryeqytetit t'i dhurojnë trajnerit të tyre të ri, por mikut tyre të vjetër, Jupi, një fitore mjaft të vlefshme, që e ndihmon Dinamon të ngjitet në vendin e 7-të të renditjes, duke kapërcyer kështu mbi Shkumbinin dhe duke iu larguar edhe më tej zonës së ftohtë të fundit të renditjes.