E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi bluzi. Luftëtari 360 minuta pa gol në Gjirokastër

Luftëtari dëshmoi dhe njëherë se është jo vetëm i pathyeshëm në shtëpi me katër fitore në po kaq ndeshje, por edhe duke thelluar një rekord në stadiumin "Gjirokastra" duke mos pësuar asnjë gol në 360 minutat e luajtura aty, ndërkohë që bluzinjtë jugorë kanë shënuar 5 gola. Fitorja 1-0 ndaj Shkumbinit e ngjiti Luftëtarin në kuotën e 13 pikëve. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Shenaj (59'), ndërkohë që Arlind Nora u ndëshkuar me karton të kuq. "Magjia" e peqinasit Roland Dervishi, që shënoi katër ditë më parë katër gola kundër Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë nuk funksionoi kundër gjirokastritëve. Trajneri Ilir Saphiu, po shndërrohet në një trajnerët më të sukseshëm të Kategorisë Superiore, duke manaxhuar me shumë sukses një ekip modest si Luftëtari, të rikthyer në Superligë, ndërkohë që tri ekipet e tjera të ardhura nga Kategoria e parë, janë rreshtuar njëra-pas tjetrës në fundin e tabëlës.
Shkumbini, me probleme psikologjike brenda grupit, regjistroi humbjen e pestë radhazi në kampionat dhe tashmë ndodhet në vendin e 8-të. Pozitat e trajnerit Bici dobësohen së tepermi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›