Teuta, fitorja e parë në shtëpi. Luftëtari 360 minuta pa gol në Gjirokastër

Dyshja e "importuar" sulmuese shkodrane Sinani-Salihi i dhanë një fitore me shumë vlerë Tiranës në Kavajë, ndaj një Besë që e nisi takimin me shumë pretendime. Vioresin Sinani befasoi kavajasit në minutën e 9-të me atë goditje të saktë me kokë (goli i dytë rresht në dy ndeshjet e fundit dhe i pesti personal), ndërsa shkodrani tjetër Salihi dyfishoi rezultatin në të 41', pasi i vodhi një top mbrojtjes së Besës, duke shënuar dhe golin e dhjetë të tij në sezon, duke i dhënë fund thatësirës "180" minutëshe. Në pjesen e dytë, autogoli i portierit Nallbani në favor të Besës, vetëm sa shkurtoi diferencën në 2-1. Fitorja e formacionit të Mirel Josës, e gjashta në nëntë javë kampionat, e shkëputi atë në katër pikë nga ndjekësja me afërt, Teuta, që me fitoren 1-0 në "Niko Dovana" ndaj Elbasanit (gol i Lako në të 77'), u ngjit në vendin e dytë me 17 pikë. Teuta e Starovës firmosi fitoren e parë shtëpiake duke ndërprerë serinë e tre barazimeve në "Niko Dovana", ndërkohë që Elbasani i dha fund tri fitoreve rresht, duke regjistruar dhe humbjen e tretë në nëntë javë. Një fitore dramatike arriti dhe Dinamo me Flamurtarin, tripikësh i fituar vetëm në sekondat e fundit të shtesës prej tre minutash, kur dinamoviti Artion Poci bëri të pavlefshëm eurogolin e Kuqit në minutën e 90-të. Redi Jupi, trajneri-lojtar firmosi golin e parë për Dinamon në minutën e 9-të. Kjo ishte dhe fitorja e parë zyrtare e Redi Jupit si trajner, pas asaj të arritur të mërkurën në Kupën e Shqipërisë ndaj Skënderbeut (3-2). Luftëtari dëshmoi dhe njëherë se është jo vetëm i pathyeshëm në shtëpi me katër fitore në po kaq ndeshje, por edhe duke thelluar një rekord në stadiumin "Gjirokastra" duke mos pësuar asnjë gol në 360 minutat e luajtura aty. Fitorja 1-0 ndaj Shkumbinit e ngjiti Luftëtarin në kuotën e 13 pikëve. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Shënaj (59'), ndërkohë që Arlind Nora u ndëshkuar me karton të kuq. Shkumbini, me probleme psikologjike brenda grupit, regjistroi humbjen e pestë radhazi në kampionat dhe tashmë ndodhet në vendin e 8-të. REZULTATET BESA-TIRANA 1-2 Shënues: Nallbani 67' (autogol)/ Sinani 9', Salihi DINAMO-FLAMURTARI 2-1 Shënues: Redi Jupi 9', Poci 90+3/ Kuqi, 90' LUFTËTARI-SHKUMBINI 1-0 Shenaj 59'. Nora (Luftëtari) karton i kuq