E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juridiku; Regjistrohen vetëm 21 studentë



Rektorati i Universitetit të Tiranës dhe dekanati i Fakultetit të Drejtësisë kanë shpallur deri tani 31 fitues të rinj për studimet në sistemin part-time, pas çregjistrimit të 60 studentëve që kishin shkelur Ligjin e Arsimit të Lartë, pasi bënin studime paralele në Universitetin e Tiranës. Skënder Kaçupi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë, tha dje: “Tri ditë më parë ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve në sistemin me kohë të pjesshme (part-time), për të cilën aplikuan 21 studentë”. Por Kaçupi shtoi se në fazën e dytë të regjistrimeve, që vazhdon edhe sot, deri në orën 16:00, kanë aplikuar deri tani 10 studentë. Sipas tij, vendet e mbetura bosh pas fazës së parë të regjistrimeve do të plotësohen me kandidatë të tjerë, që nuk kanë fituar dhe vijnë menjëherë pas fituesit të fundit. Fituesit e rinj janë pranuar mbi bazën e notës mesatare. Pak ditë më parë, Universiteti i Tiranës identifikoi rreth 60 studentë, të cilët kishin probleme në dokumentacionin e tyre të regjistrimit, madje prej tyre disa rezultuan të regjistruar edhe në fakultete të tjera, çka shkel Ligjin e Arsimit të Lartë. Nisur nga këto raste, rektorati i Universitetit të Tiranës, po heton në të gjitha fakultetet e tjera për të identifikuar rastet e shkeljes së udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›