E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinj shqiptarë diskutojnë çështje globale në “Modelin OKB”



Nxënës të shkollave të mesme të Shqipërisë marrin pjesë në konferencën e dytë vjetore të Modelit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, e cila do të mbahet në Tiranë nga data 25 shkurt deri në 1 mars 2009. Shkollat e përfshira në këtë projekt vijnë nga zona të ndryshme të vendit dhe rreth 80% e të rinjve pjesëmarrës janë vajza, duke inkurajuar kështu edhe përfshirjen dhe fuqizimin e rolit të femrës në politikëbërje. Gjatë konferencës 4-ditore, të rinjtë do të simulojnë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale. Ata do të luajnë rolet e përfaqësuesve diplomatikë pranë këtyre organeve dhe do të diskutojnë çështje nga axhenda aktuale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Temat që do të preken këtë vit, janë trafikimi i qenieve njerëzore, ngrohja globale dhe ndryshimet klimaterike. Ne ceremoninë e hapjes së konferencës, përveç 135 studentëve, morën pjesë ministri Ii Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja, z. Xhon. L. Uidhers, ambasador i Shteteve te Bashkuara në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Koslet, koordinatore rezidente e OKB-së në Shqipëri dhe z. Hill Denham, drejtor i Korpusit të Paqes, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Shqipëri. Pjesëmarrja në një konferencë të Modelit OKB u jep nxënësve mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre për fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përforcuar gjithashtu aftësitë e tyre në zgjidhjen e konflikteve, të folurën në publik, lidershipin, dhe negocimin. Modeli OKB i inkurajon të rinjtë shqiptarë të luajnë një rol aktiv në fushën e diplomacisë dhe gjithashtu promovon të drejtat e tyre për një partneritet global më të mirë. Aktivizimi më i gjerë i të rinjve në vendimmarrje është një pjesë integrale e arritjes së një paqeje dhe zhvillimi të qëndrueshëm. Gjatë prezantimit të saj, mes të tjerave znj. Turkoz-Koslet u tha studenteve: “E di që ju do të bini dakord me mua se mënyra e vetme me të cilën bota mund të shënojë progres për zgjidhjen e krizave komplekse sociale, ekonomike dhe politike, është nëse individët – ashtu si ju – diskutojnë, analizojnë dhe debatojnë thelbësisht për këto çështje. Ne jetojmë në një kohë të mbushur me mundësi dhe sfida të pashembullta, shumë prej të cilave lidhen me globalizimin. Sfidat me të cilat ne përballemi, si ato natyroret ashtu edhe ato të shkaktuara nga njeriu, e kanë bërë akoma më të rëndësishme efektshmërinë e Kombeve të Bashkuara si një forcë për zhvillimin dhe barazinë. 64 vjet pas krijimit të tyre, Kombet e Bashkuara numërojnë 192 vende anëtare dhe synimet e tyre vazhdojnë të mbeten po aq të rëndësishme e misioni i tyre po aq ambicioz, sa në ditën e parë të ekzistencës”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›