Jusufit ia vjedhin celularin Pllumb Jusufi ishte për pushime te familja e tij në Zagreb, mirëpo atje ia kanë vjedhur celularin “iphone”, që kishte vlerën e 500 eurove

RESHAT IBRAHIMI -Gjatë qëndrimit në Zagreb, te familja e tij për pushime dimërore, futbollistit të Dinamos nga Tirana, Pllumb Jusufit, ia kanë vjedhur celularin “iphone”, që kishte vlerën e 500 eurove. Ai thotë se nuk e ka pritur se mund t’i ndodh një gjë e tillë, pasi deri më tani rrallë i ka ndodhur t’i humb diçka. “Isha në Zagreb për t’ju bashkuar familjes sime, e cila jeton atje prej vitesh, mirëpo pas disa ditësh mbeta pa celular. Nuk e di ku ma vodhën, por as edhe tani nuk më kujtohet se kush dhe ku ma vodhën”, ka thënë sulmuesi tetovar i Dinamos, Jusufi, në një bisedë për “Lajm”. Pas përfundimit të pushimit dimëror ai është kthyer në Tiranë, ku është grumbulluar me skuadrën “blu” nga kryeqyteti shqiptar, ndërsa tani aktualisht gjenden në Antalia të Turqisë, duke zhvilluar fazën përgatitore të dimrit. Sipas Jusufit, skuadra e Dinamos në Antalia ka zhvilluar disa takime kontrolluese, por përkundër kësaj intensiteti i stërvitjeve aspak nuk është ndalur, madje kanë vazhduar me nga dy seanca stërvitore në ditë. Ndërkohë Jusufi bën të ditur se ekipi i tyre, Dinamo, të mërkurën do të përballet në një tjetër miqësore me skuadrën ukrainase Cernomerets Odesa.
E Merkure, 21 Janar 2009