E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylbyl Sokoli merr Vardarin!!!Gjatë ditëve në vijim do të mësohet përfundimisht nëse për herë të parë në historinë e Vardarit në kreun e skuadrës do të qëndrojë një trajner shqiptar. Bylbyl Sokoli është parë në Shkup, ku pritej të ketë biseduar

Reshat Ibrahimi - Trajneri kosovar, Bylbyl Sokoli, pas largimit nga KF Milano e Kumanovës, ka gjasa të mëdha të bëhet trajner i KF Vardarit nga Shkupi. Burime të gazetës “Lajm” kanë pohuar një mundësi të tillë, ndërkaq vetë Sokoli është parë në Shkup, ku pritej të kishte biseduar me drejtues të këtij klubi. Megjithatë, në tentimin e gazetës për të vërtetuar këtë informacion, trajneri Bylbyl Sokoli nuk ka qenë i gatshëm për të biseduar. Shanset për kalimin e tij janë reale kur kihet parasysh gjendja aktuale e Vardarit, nga i cili janë larguar sponsorët e deritanishëm, familja Kostovski dhe formimi i një garniture të re, e cila synon kreun e tabelës. Njëherësh, burime të gazetës kanë konfirmuar se drejtues të Vardarit kanë qenë shumë të interesuar që ta sjellin në kreun e skuadrës së tyre kosovarin, Sokoli, i cili deri më tani ka arritur suksese të lakmueshme me klubet shqiptare të Maqedonisë. Largimi për çështje politike i ish-trajnerit Dostaniç dhe ftohja e raporteve me Serbinë ka bërë që pikërisht trajneri kosovar të shihet si një zëvendësim adekuat. Gjithashtu, anë e fortë e Sokolit duket të ketë qenë njohja e mirë e futbollit në kampionatin e Maqedonisë, si dhe puna e tij me konkurrentët e deritanishëm të klubit nga kryeqyteti. Sidoqoftë, gjatë ditëve në vijim, do të mësohet përfundimisht nëse për herë të parë në historinë e Vardarit do të qëndrojë një trajner shqiptar. Ky vendim i pritur i drejtuesve të Vardarit besohet të ketë marrë edhe bekimin e tifozëve të tyre, “Komitat”, të cilët njihen për parulla anti-shqiptare.

E Merkure, 21 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›