E Diel, 1 Nëntor 2026

Jutta Benzenberg, një fotografe besnike

Nga bardhezia e viteve të para të paskomunizmit, Jutta Benzenberg kalon në një histori tjetër të mjedisit shqiptar më pak misterioz, më pak i çuditshëm dhe më në fund, me ngjyra.


Jutta Benzenberg tregon çfarë ka parë 18 vjet gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri në ekspozitën e hapur në Galerinë e Akademisë së Arteve.


Në fillim një pasqyrim bardhezi i ngjarjeve, personazheve, ambienteve, kurse dy vitet e fundit i pëlqen të shkrepë më tepër foto me ngjyra. Përse? "Jam duke kërkuar të tjera gjëra nga vetja, të cilat i përshtaten personalitetit tim", tregon ajo.


Ky prezantim deri më 25 tetor i fotografes gjermano-shqiptare bëhet në kuadrin e Tetorit Gjerman, që temë qendrore këtë vit ka përvjetorin e 20-të të rënies së Murit të Berlinit.

Shumica e të pranishmëve në këtë ekspozitë, u ndalën më gjatë te fotot bardhezi. Si e shpjegon këtë tërheqje?


Fotot bardhezi janë bërë përgjatë 15 viteve, kurse ato me ngjyra brenda një viti e gjysmë. Kuptohet, që në një kohë më të gjatë mund të koleksionohen foto më të mira. Pastaj, bardhezia të krijon gjithmonë ndjesinë e misteriozes dhe të tërheq më tepër. Por, kam kohë që nuk bëj foto të tilla.

Përse?


Sepse Shqipëria ka ndryshuar, unë kam ndryshuar, kështu që kam kaluar te fotografia me ngjyra. Fotoja ndryshon, pasi ndryshon ajo që unë mendoj, ndjenjat e mia. Tani fotografia që unë bëj, është më konkrete, më pak e çuditshme. Jam duke kërkuar të tjera gjëra nga vetja, të cilat i përshtaten personalitetit tim.


Sado e kuptueshme të jetë një foto, shpjegimi i autorit është më interesant. Ç'mund të na thuash për personazhet që ke sjellë këtu, ciklin fotografik nga mjediset e Teatrit të Operës dhe për fotot e viteve '91-'93?


Unë përcjell veten time në këto foto, atë që kam parë. Te të gjitha ka diçka të veçantë. Te portretet e të rinjve tregoj shpresën. Fotot bardhezi tregojnë varfërinë e viteve '91-'93. Kurse fotot e Teatrit të Operës janë më artistike. Aty tregohet skena e madhe e Operës, me kostumet, dritat.


Kam pasur një ndikim nga fotografja Annie Leibovitz, e cila ka bërë diçka të ngjashme dhe fotot e së cilës më kanë pëlqyer shumë. Ndërsa ajo ka pasur në dispozicion skena të mëdha, shumë vetë që e ndihmonin, unë kisha vetëm veten, pak njerëz, dritën e diellit, idetë e mia.

Përse keni kaq shumë portrete?


Më pëlqen të fotografoj njerëz, kjo është edhe pika ime më e fortë. Të gjithë ata thonë diçka nëpërmjet këtyre fotove.

Kur një portret është i mirë?


Kur personaliteti i personave që unë fotografoj tregohet që në sy.

Mendon se nëpërmjet këtyre fotove i ke thënë të gjitha?


Kjo temë nuk mbaron kurrë dhe unë do të vazhdoj të fotografoj. Shqipëria është duke ndryshuar dhe çdo ditë ka diçka për të treguar.


Kam pasur një ndikim nga fotografja Annie Leibovitz, e cila ka bërë diçka të ngjashme dhe fotot e së cilës më kanë pëlqyer shumë. Ndërsa ajo ka pasur në dispozicion skena të mëdha, shumë vetë që e ndihmonin, unë kisha vetëm veten, pak njerëz, dritën e diellit, idetë e mia.

Në Pallatin e Kongreseve, 12 - 16 nëntor

Në proces Panairi i 12-të i Librit,
Është herët për të treguar titujt e rinj dhe emrat e shkrimtarëve që do të prezantohen në Panairin e Librit "Tirana 2009". Në takimin e djeshëm me mediat, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, foli vetëm për ardhjen e shkrimtarit dhe regjisorit italian Federico Moccia-s, i cili ka konfirmuar praninë e tij. Shtëpia botuese "Dituria" ka sjellë në shqip nga ky autor romanet "Tre metra mbi qiell" dhe "Të dëshiroj".


Duke iu referuar ardhjes së Moccia-s, Ymeri foli edhe për çmimin "Miqtë e Kulturës", i cili mendohet të jepet për herë të parë këtë vit, krahas Çmimit për Autorin më të mirë dhe Çmimit për Përkthimin.


Për titujt e rinj Petrit Ymeri shpjegoi se ky edicion ka pak prurje. "Këtë vit tregu ka qenë më i dobët. Lexuesit, blerësit kanë qenë më pak, pra është ulur fuqia blerëse. Por, kjo nuk do të thotë që është ulur cilësia e botimeve, pasi ritmet e punës së shtëpive botuese kanë qenë po të njëjtat", shpjegoi ai.


Organizatorët mendojnë t'u kushtohet më shumë vëmendje sallave të promovimeve, takimeve me shkrimtarë të ftuar dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre pesë ditëve. Edhe pse kalendari akoma nuk është gati që të tregojë të rejat e këtij viti, Ymeri pohoi se nuk do të mungojnë shkrimtarët shqiptarë.


Panairi i Librit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve më 12-16 tetor. Janë 100 subjekte botuese nga vendi, nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, po edhe ente botuese nga Italia, Greqia, si edhe për herë të parë nga Rusia dhe Izraeli. "Tirana 2009" mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia e Tiranës.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›