E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve barazon në Katania, por ruan vendin e parë

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-09-2011 13:48

Barazimi shtëpiak me Bolonjan nuk ishte një episod. Juventusi nuk shkon më larg se një pikëzë, frut i një tjetër 1-1, për shkak të një pjese të parë shumë të keqe, që u ndreq deri diku nga paraqitja e mirë në pjesën e dytë. E megjithatë, nëse Konte kërkon ta shohë gotën gjysmëplot, mjafton që t’i hedhë një sy klasifikimit: bardhezinjtë mbeten të parët së bashku me Udinezen, në një kampionat që i ka skuadrat të grumbulluara me shumë pak pikë diferencë. Të ashtuquajturat “të mëdhatë” nuk po arrijnë të bëjnë hapa përpara. Por nuk duhet të harrojmë se deri tani kalendari ka favorizuar deri diku “Zonjën e Vjetër”. Në “Massimino” përfundon 1-1: golat e shënuar nga Bergesio dhe Krasiç, që në pjesën e dytë më në fund ka bërë disa nga ato shpërthimet që e karakterizuan në sezonin e shkuar. Katania ka bërë një paraqitje të denjë, sidomos në 45 minutat e para. Montela kishte hedhur në fushë një skuadër të organizuar dhe të shpejtë, që u penalizua në pjesën e dytë nga shiu i rrëmbyer, që ftohu disi turbon e lojtarëve të tij. Juvja shfaqi se nuk ka talent për të fituar rastësisht. Që të marrë tre pikët duhet të “shtrydhet” për 90 minuta. Dëshira nuk i mungon, e shfaqi dhe dje, por duhet ende shumë punë.

Alegri: Të klonojmë Sedorfin

Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka lavdëruar autorin e golit të vetëm në fitoren 1-0 ndaj Çezenas, holandezin Klarens Sedorf. “Sedorf bëri një ndeshje të shkëlqyer. Fatkeqësisht ai është 35 vjeç dhe nuk mund të luajë vazhdimisht. Ndoshta duhet ta klonojmë!”, ka bërë shaka Alegri, që më pas ka vijuar komentet e tij pas fitores në “San Siro”. “Antonio Kasano bëri edhe ai një ndeshje të shkëlqyer, ndërsa Stefan El Sharaui ka nevojë për kohë dhe hapësirë për t'u zhvilluar. Ai ishte më pak i mirë se të mërkurën, por nuk është lehtë të fillosh në “San Siro” në atë moshë”, përfundoi trajneri kuqezi.

Interi

Shnajder një muaj larg fushave?

Uesli Shnajderin nuk po e lënë rehat dëmtimet. Sezonin e kaluar vuajti shpesh nga ata, ndërsa duket se edhe këtë sezon nuk i ka punët më mirë. Trajneri i ri i Interit, Klaudio Ranieri e ka shprehur pesimizmin e tij rreth gjendjes së mesfushorit holandez. Sipas mediave italiane, ish-futbollisti i Real Madridit nuk do të mungojë vetëm në ndeshjen e mesjavës në Moskë, në Ligën e Kampionëve. Sipas televizionit, Sky, Shnajder mund të mungojë një muaj. Përgjigjen përfundimtare rreth kohëzgjatjes së dëmtimit do ta japin ekzaminimet, të cilat lojtari holandez do të kryejë gjatë kësaj jave.

Serie A – Java V

Të shtunën

Bolonja – Inter 1-3

Napoli – Fiorentina 0-0

Milan – Çezena 1-0

Dje

Kievo – Xhenoa 2-1

Katania – Juventus 1-1

Atalanta – Novara 2-1

Siena – Leçe 3-0

Kajliari – Udineze 0-0

Lacio – Palermo 0-0

Parma – Roma X-X

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›