E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve i përgjigjet Milanit, fitore dhe sërish e para

TORINO - Juventusi i është përgjigjur në mënyrën më të mirë Milanit, duke mundur 2-1 Lacion dhe duke rimarrë vendin e parë në renditjen e Serisë A. Bardhezinjtë kanë treguar edhe dje se gëzojnë një formë të shkëlqyer fizike, ndërkohë që heroi i mbrëmjes ka qenë padyshim Alesandro Del Piero, me një gol të mrekullueshëm 8 minuta para fundit. Dukej se topi nuk donte të hynte në portën e Lacios, por kapiteni bardhezi ka gjuajtur saktë një goditje dënimi, duke mposhtur portierin Marketi dhe duke e çuar rezultatin në 2-1. Një 3-pikësh, që e ngjit sërish “Zonjën e Vjetër” në vend të parë, ndërsa Milani mbetet i dyti. Por, ndeshja ka qenë edhe një konfirmim se Juventusi ka shanse reale për fitimin e titullit, duke parë grintën dhe freskinë fizike që ka kjo skuadër.
Ndeshja
Sa i përket ndeshjes, ajo nisi me një Juve të “uritur” për fitore dhe një Lacio, që pavarësisht mungesave të shumta, është treguar shumë e kujdesshme. Gjithsesi, në minutën e 30-të, Andrea Pirlo do të jepte një top të artë për Simone Pepen, që pasi e ka stopuar me gjoks, ka mposhtur Marketin, duke i dhënë bardhezinjve avantazhin. Por, nuk ishte e thënë që Juventusi të shkonte i qetë në dhomat e zhveshjes, pasi në fundin e pjesës së parë, Stefano Mauri realizoi një gol të bukur me kokë, pas krosit nga e djathta të Skalonit. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka nisur me një Juve më agresive. Vuçiniç i shkoi shumë pranë golit të avantazhit, ndërsa më pas ishte Del Piero që për pak realizoi pas asistit të Vidal. Gjithsesi, 8 minuta para fundit, një goditje dënimi nga 30 metra, u shndërrua në gol nga kapiteni bardhezi, që ka çuar në delir të pranishmit në “Juventus Stadium”. Bardhezinjtë kanë rimarrë vendin e parë dhe duken të sigurt në betejën për titull.
Interi
Dy gola të Militos në secilën pjesë, i kanë dhënë Interit fitoren 2-1 ndaj Sienës, në një ndeshje aspak të lehtë për zikaltërit. Në “San Siro”, goli i D’Agostinos në fillimin e takimit, riktheu fantazmat e ecurisë negative me Ranierin për Interin. Por, pasi Milito ka gabuar një rast fatal, në fundin e pjesës së parë ai arriti të barazonte shifrat, pas edhe një gabimi në mbrojtje. Në të dytën, ofensiva zikaltër është rritur, por Milito ka gabuar një tjetër rast të artë, duke e dërguar topin jashtë pas grushtimit të portierit Pegolo. Më pas ishte Kambiaso, që nuk arriti të godiste dot saktë në zonë, ndërkohë që 10 minuta para fundit, Milito shënoi edhe golin e fitores me anë të një penalltie. Interi tashmë ka arritur Napolin në renditje.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›