E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miqësia me Kajollin”, Mediu: Akuzat ndaj meje, të sajuara

TIRANE - Kreu i Partisë Republikane, njëherësh ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu hedh poshtë akuzat për përfshirjen në miqësinë me Fatmir Kajollin të arrestuar për llogari të policisë italiane.

Në një prononcim të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” ministri Mediu i cilësoi akuzat si të pabaza dhe të sajuara, duke i shpërfillur ato plotësisht. “Nuk merrem me akuza të pabaza dhe të sajuara”,- deklaroi z.Mediu. Ai akuzohet nga media por edhe përfaqësues të opozitës si mik i Fatmir Kajollit, përfshi faktin se ai është anëtari PR-së në Këshillin Bashkiak të Fierit. Kajolli, i përfolur për lidhjet e tij të ngushta me politikanë mjaft të fuqishëm në vend, u ndalua në datën 9 prill, në afërsi të një lokali përpara Bashkisë së Fierit. Arrestimi i tij u bë për qëllim ekstradimi në shtetin fqinj, ku ai është dënuar nga dy gjykata, në Romë dhe Milano, me 16 dhe 24 vite burg, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Prangosja e Kajollit ka sjellë dhe përplasjen e radhës mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Ka qenë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili deklaroi se Policia e Shtetit nuk e disponon listën e personave të shpallur në kërkim, por kjo listë ndodhet në Prokurori. Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i organit të akuzës, i cili me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se lista në fjalë ndodhet në zyrat e Interpol Tirana, e cila është strukturë e Policisë së Shtetit dhe ata mund të veprojnë në çdo kohë për arrestimin e këtyre personave. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘Miku i ministrave’, gjykata: Arrest shtëpie për Fatmir Kajollin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›