E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë e dogjën 18-vjeçarin, arrestohen vëllai e xhaxhai

LUSHNJE - E kanë goditur me mjete të forta deri sa ka dhënë shpirt. Lutjet dhe thirrjet për ndihmë të 18-vjeçarit Taulant Hamzai nuk kanë thyer zemrat e dy xhelatëve, vëllait dhe të xhaxhait të tij, të cilët të përlyer me gjak i kanë shkuar deri në fund misionit të tyre.

Për të zhdukur gjurmët e krimit të kryer në emër të nderit, Myslim Hamzai dhe Zabit Hamzai e kanë djegur trupin e adoleshentit mes ca kallamishteve, në anë të një kanali vaditës. Ngjarja horror e ndodhur në fshatin Grabian të Lushnjës është zbardhur nga policia pas katër vitesh. Pasditen e djeshme, uniformat blu të Lushnjës organizuan operacionin e koduar “Kthesa e Grabianit”, i cili u finalizua me arrestimin vëllait të viktimës, 32-vjeçarit Myslim Hamzai dhe xhaxhait të tij, Zabit Hamzai, 59 vjeç. Xhaxha e nip akuzohen për “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”. 

Pas arrestimit të tyre, ekspertët e çështjes u shprehën se dy të akuzuarit duhet të kenë pasur një motiv shumë të fortë që arritën deri në atë pikë sa të masakronin të afërmin e tyre. Dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për çështje nderi.

NGJARJA
Më 7 gusht të vitit 2008, një banor i zonës së Grabianit ishte duke u kthyer pas punës në tokat e tij për në banesë. Gjatë rrugës ai ka vënë re mes kallamishteve (në vendin e quajtur “Tre urat” që ndodhet disa kilometra larg këtij fshat) një person të pajetë dhe të djegur. Menjëherë u sinjalizua policia, e cila pas këqyrjes së kufomës nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në atë kohë u deklarua se viktima ishte vrarë me mjete të forta dhe më pas ishte spërkatur me benzinë dhe ishte djegur. Kufoma u dërgua në morgun e Tiranës. Edhe pse trupi i pajetë u mbajt për shumë kohë në morgun e kryeqytetit, askush nuk u interesua për të.
Vrasja tronditi banorët e fshatit Grabian, të cilët edhe pse u pyetën nga policia deklaruan se në zonën e tyre nuk kishte humbur asnjë person. U deshën plot dy vjet që të identifikohej kufoma e djegur. Mesa duket heshtja e familjarëve dhe e banorëve të zonës ka ngjallur dyshime tek policia, e cila ka shënjuar si vrasës të mundshëm njerëzit më të afërt të tij.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›