E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve mposht Fiorentinën, Milani kryen detyrën

Torino/Bolonja Skuadra e Juventusit arriti të fitojë këtë fundjavë në përballjen me Fiorentinën me rezultatn e ngushtë 1-0. Protagonisti kryesor i takimit ishte gjyqtari Sakani, i cili i mohoi një gol të rregullt Fiorentinës, dhe nuk akordoi një 11-metërsh të pastër po për këtë ekip.

Golin e vetëm për vendasit e Juventusit e shënoi Markisio në minutën e 21-të të pjesës së parë. Në këtë ndeshje u rikthye edhe portieri Bufon, i cili nuk luante prej tre muaj gjysmë për shkak të një dëmtimi që pati pësuar. Në përballjen e së shtunës ai rezultoi vendimtar duke e shpëtoi Juventusin nga disa gola të sigurtë.

Fitorja e mban Juventusin në të njëjtin hap me Interin kryesuaes. Juventusi mban vendin e dytë me 43 pikë, tre më pak se udhëheqësit. Fiorentina barazohet në tabelë edhe nga Palermo, e cila arriti një fitore këtë fundjavë përballë Udinezes 3-2. Këto dy ekipe, Fiorentina dhe Palermo, mbajnë vendin e 7-të dhe të 8-të me nga 32 pikë.

Java e 20-të ishte pozitive edhe për skuadrën e Milanit, e cila fitoi në transfertën e Bolonjës me rezultatine thellë 4-1. Paraqitja e Milanit ishte e shkëlqyer, ndërsa Bolonja humbi një ndeshje në Serinë A pas 8 javësh. Në tetë takimet e fundit ajo pati marrë 2 fitore dhe 6 barazime. Milani, megjithëse u gjend në disavantazh që në fillim të lojës, arriti të rikuperojë që në pjesën e parë.

Në fillim Di Vaio kaloi Bolonjën në avantazh nga pika e bardhë në minutën e 9-të, ndërsa tre minuta më vonë barazoi Sedorf. Në minutën e 17-të Kaka’ do të kalonte skuadrën e Milanit në avantazh po nga një penallti e akorduar nga gjyqtari Taljavento. Në minutën e 41-të Mutingaji e lë Bolonjën me 10 futbollistë pas kartonit të dytë të verdhë. Dy minuta më vonë Kaka’ do të shënonte edhe golin tretë për Milanin, dhe të dytin personal në këtë takim.

Pjesa e dytë rezervoi vetëm një gol për milanezët. Golin e katërt e shënoi anglezi David Bekam. Një aksion i shkëlqyer i nisur nga Pato, i cili ia pason topin Serdofit dhe ky e nxjerr Bekamin përballë portierit Antonioli, i cili nuk pati asnjë shans për të ndaluar topin e mesfushorit milanist.

Me këtë trepikësh Milani ruan hapin e Interit dhe Juventusit. Ekipi i drejtuar nga Ançeloti mban vendin e tretë me 40 pikë. Bolonja mbetet në të njëtën kuotë pikësh, me 19, në vendin e 16-të.

/Gert Sallaku/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›