Juve nuk fal Milan, rrezikon pjesmarrjen në Champions League
Supersfida e Serisë A në javën e 33-të mes Juventus dhe Milan ka përfunduar me fitoren minimale 1-0 të Kampionqëve në fuqi të Italisë.
Edhe pse shumë pranë fitimit të titullit, Bardhezinjtë nuk kanë toleruar aspak ndaj “Djajve” duke treguar forcën e tyre dhe se me të vërtet e meritojnë të jenë ata kampion të këtij edicioni. Ndërsa të gjithë prisnim një derbi të vërtetë, loja u karakterizua për “stilin italian” të futbollit, pak aksione të pastra për gol, mbrojtje shumë të forta dhe mesfushë të baraspeshuar.
Megjithatë duke shfrytëzuar disi faktorin fushë, të besuarit e Antonio Kontes, krijuan një dominim të lehtë ndaj kundërshtarit, që u reflektua disi në lojë dhe në rezultat.
Pjesa e parë e përballjes më të rëndësishme të fundjavës në Seria A, u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë i lojës nis më mirë për Juventinët që arrinë të zhbllokojnë shifrat në minutën e 57-të. Asamoah pengohet në zonë nga portieri Amelia, ndërsa Vidal merr përsipër ekzekutimin e 11-metërshit duke e shndërruar në një gol të bukur, ku portieri kuqezi nuk kishte as më të voglën mundësi për të reaguar.
Në minutat e mbetura, përpjekjet e Milanit për të barazuar, hasin në një mbrojtje të fortë të bardhezinjve që edhe pse ishin 11 pikë larg ndjekësit më të afërt, nuk e tolerojnë Milanin, për të mbajtur shpresa në arritjen e objektivit të këtij sezoni që është vendi i dytë në renditje.
Pas kësaj fitoreje, Juventus është vetëm dy fitore larg sigurimit të titullit kampion ndërsa Milan tashmë i është larguar 7 pikë vendit të dytë dhe rrezikon edhe vendin e tretë pasi Fiorentina është vetëm 1 pikë më pak.