E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve, probleme taktike dhe fizike

Përballë Bordosë ishte thjesht një barazim, megjithatë ky rezultat pati efektin e një dushi të ftohtë për Juventusin. Edhe pse ende të pakonsoliduar, deri më tani bardhezinjtë ishin përshtatur mirë në fushë, por sfida me kampionët e Francës i tregoi trajnerit Çiro Ferrara se rruga drejt perfeksionit është ende e gjatë. "Nuk duhet të harroni se në këto pesë-gjashtë vitet e fundit Juventusi ka luajtur me skemën 4-4-2. Kemi ndryshuar stilin e lojës dhe rreshtimin në fushë vetëm prej dy muajsh, gjithsesi rezultatet kanë qenë të kënaqshme", ishte analiza e drejtuesit të stolit juventin. Për të qenë realistë, për barazimin e "Zonjës së Vjetër" në takimin e parë në grupet e Champions League, kishte justifikime të forta: mungesat (nga një titullar në çdo repart) nuk i lanë Ferrarës shumë mundësi për të zgjedhur. Goli i Plasil, i cili ndodhej në pozicion jashtë loje të pa sinjalizuar nga vijërojtësi, ka lënë një shije të hidhur. "Nuk arritëm të merrnim tri pikët vetëm për pak centimetra", deklaroi tekniku bardhezi. Gjithsesi, vetëm pak çaste më vonë, i njëjti anësor (norvegjezi Neben), gaboi duke ndaluar aksionin e Gufran, i cili ndodhej në pozicion të rregullt. "Për të qenë realistë, nuk mund të themi se Bordoja na vodhi dy pikë", nënvijëzoi portieri Xhixhi Bufon, i cili vazhdon të jetë një prej pikave më të forta të skuadrës.

Problemet më të mëdha te Juventusi janë taktika dhe gjendja fizike e lojtarëve. Kjo e dyta kërkon zgjidhje urgjente, për të përballur me sukses ngarkesën fizike dhe ndeshjet e shpeshta ndërmjet kampionatit dhe Ligës së Kampioneve. Të martën në mbrëmje, Kanavaro dhe Tiago patën probleme muskulore. Kjo bën që skuadra të humbasë tri elementë në harkun e tri ditëve, pas dëmtimit të Diegos në fitoren përballë Lacios në stadiumin "Olimpiko". "Natyrisht që në këto momente nuk mund të jem i qetë", pohoi Ferrara, që tashmë pret diagnozën e mjekëve. Situata është vështirësuar edhe më shumë pas lëndimit të Felipe Melos, i cili ka ndrydhur kaviljen. Këta katër lojtarë i shtohen Del Pieros dhe Sisokosë, rikuperimet e të cilëve po zgjasin më shumë nga sa parashikohej. Vlen të përmenden edhe problemet e vogla të Zebinasë dhe Salihamixhiç. Me fjalë të tjera, po përsëriten shqetësimet e sezonit të kaluar, ku dëmtimet ndikuan dukshëm në disa prej rezultateve negative të skuadrës. Drejtuesit e klubit ishin të bindur se e kishin zgjidhur problemin, duke larguar Ranierin dhe përgatitësin atletik, Kapana, por gjatë këtij sezoni, numri i dëmtimeve rrezikon të jetë më i lartë.

Rreth problemit taktik Ferrara ende po shqyrton se cila do të jetë zgjidhja më e përshtatshme. Të martën i dorëzoi mesfushën Bordosë, një gabim i rëndë: ai besonte se Xhovinko mund të zëvendësonte Diegon. Përveç vlerave të padiskutueshme teknike, dy lojtarët kanë karakteristika të ndryshme. Diego është një mesfushor "i pastër", i cili luan në të gjithë fushën dhe ka forcë fizike. Në anën tjetër, Xhovinko është një lojtar që "thumbon" në 30 metrat e fundit të fushës dhe që kërkon mbështetje të madhe nga mbrapa. "Në mesfushë patëm mjaft probleme", pranoi trajneri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›