E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Pezës, Rama bashkon opozitën

Partia Socialiste bashkon forcat për të bashkërenduar sfidat ndaj mazhorancës qeverisëse. Duke shfrytëzuar 67-vjetorin e Konferencës së Pezës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim në shtëpinë e Myslym Pezës, ku veç të tjerash, është diskutuar për hapat e bashkëpunimit. Rama u shfaq përkrah katër kundërshtarëve të Metës brenda LSI-së, duke i ftuar hapur ata që të bashkëpunojnë me Partinë Socialiste dhe pjesën tjetër të opozitës, ftesë që është mirëpritur prej tyre. Pëllumb Xhufi, ende zv.kryetar i LSI, anëtari i Kryesisë, Ndre Legisi, ish-deputeti Mustafa Muçi dhe Fatos Klosi iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Ramës për të marrë pjesë në festimet e Pezës ku nuk është shmangur biseda e bashkëpunimit, ku merrnin pjesë deputetë të grupit parlamentar si dhe Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi. Burime nga takimi thanë se palët ranë dakord se është i nevojshëm bashkëpunimi kundrejt kësaj mazhorance, por nuk ka asnjë vendim konkret. Sipas të njëjtave burime, idetë për mënyrën e bashkëpunimit janë të ndryshme, por kjo mbetet për t‘u realizuar në një të ardhme të afërt. Pas thirrjes publike që kundërshtarët e marrëveshjes me PD brenda LSI të bashkëpunojnë me PS, duket se janë hedhur hapa konkretë. Burime nga grupi kundërshtar në LSI thanë dje se Rama u ka bërë një ftesë bashkëpunimi dhe po shohin mundësinë që të jenë pranë PS.

Sakaq, publikisht, edhe kryetari i PS-së shfaqi hapur kënaqësinë e këtij bashkëpunimi, duke përshëndetur të pranishmit në festë.

"Jam shumë i kënaqur që mund ta bëj këtë përpara jush së bashku me Pëllumb Xhufin, Paskal Milon, Skënder Gjinushin dhe me të gjithë grupin e deputetëve dhe deputeteve të pranishëm. Konferenca e Pezës është një pikë e palëkundshme, që mbetet gjithmonë aktuale në referimin tonë ndaj historisë. Si një moment kur shqiptarë e shqiptare me bindje dhe përkatësi të ndryshme, por me një pikë të përbashkët referimi që kishte të bënte me atdheun, me lirinë e tij dhe me të ardhmen e tij, u bashkuan dhe i dhanë jetë një fronti antifashist që solli më pas edhe çlirimin e vendit" u shpreh Rama. Në këtë mënyrë, katër figura të Lëvizjes Socialiste për Integrim u shkëputën përfundimisht nga kjo parti për të parë mundësinë dhe hapësirat e integrimit të tyre drejt Partisë Socialiste. Megjithëse ata deklarojnë se nuk do të jenë të aktivizuar plotësisht në politikë. Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Mustafa Muçi dhe Blendi Klosi kundërshtuan qysh herët marrëveshjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, duke deklaruar se ajo është bërë për interesa personale. Në muajin gusht, pak ditë para se Meta dhe Berisha të zyrtarizonin marrëveshjen, pesë faktorë të kësaj partie i bënë thirrje Metës që të tërhiqej nga nënshkrimi i marrëveshjes. Në reagimin zyrtar të LSI u theksua qartë se vendimi ishte rezultat i Konventës Kombëtare, organit më të lartë në këtë parti dhe ishte i pakthyeshëm. Marrëveshja e nënshkruar mes Metës dhe Berishës përcaktoi që kjo parti të drejtojë tre poste ministrore, ku Meta do të ketë postin e kryediplomatit, madje dhe atë zv.kryeministrit. Një tjetër ministri është ajo e Ekonomisë, që do të drejtohet nga Dritan Prifti dhe Ministria e Shëndetësisë, që do drejtohet nga Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›