E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus projekton skuadrën e denjë për Europën

Zhgënjimi nga eleminimi në çerekfinalet e Champions League i ardhur nga Bayern Munchen, ka vënë në punë drejtuesit e Juventusit. Kupola drejtuese e “Zonjës së Vjetër” ka kuptuar se hendeku i futbollit italian me elitën e Europës është jashtëzakonisht i madh, dhe që të ëndërrosh fronin duhet ndërtimi i një skuadre të denjë për tu përballur me kundërshtarë si Bayern.

Sezonin e kaluar blerja e një futbollisti top player u bë një “fiksim” për Juventusin, që dështoi në përmbushjen e këtij objektivi, duke parë kostot e larta financiare.  Megjithatë drejtuesit bardhezinj nuk heqin dorë dhe tashmë kanë piketuar emrat e parë për të nisur tratativat. Prej një kohe shumë të gjatë emri më i lakuar është ai i Stevan Jovetiç, një objektiv i ndjekur prej vitesh, por si në të shkuarën edhe në të tashmen Fiorentina kërkon një përfitim maksimal financiar për shitjen e malazezit.

Juventus ka gati kartat për të bindur Della Vale-t dhe Montellan, pasi mund të fusin në tratativë Giovincon dhe Marrone, dy lojtarë të pëlqyer nga trajneri vjollcë. Por drejtori i përgjithshëm Marrota ka kuptuar që nuk duhet të fiksohet vetëm tek një objektiv ndaj ka nisur të marrë në konsideratë edhe të tjera zgjedhje. Interesante mbetet e ardhmja e Alexis Sançez të Barcelonës apo Luis Suarez i Liverpool.

Nga Madridi bëjnë të ditur që “Zonja e Vetër” ka shfaqur interes edhe për Gonzalo Higuain, duke treguar që vetëm ardhja e Llorentes nuk mjafton. Në mesfushë kërkohet një zëvendës për Pirlon, dhe sytë shkojnë tek Verrati i PSG.

Në mbrojtje emri i lakuar është serbi Kolarov, që mund të bëjë një rikthim në Itali. Pa harruar dhe shumë emra të panjohurish në merkaton braziliane si Mateus i Flamengos apo Doria i Botafogos.

Pas humbjes me Bayern, Conte deklaroi se ambienti bardhezi u zgjua nga ëndrra, dhe tashmë drejtuesit kanë nisur të mendojnë për realitetin, në mënyrë që në të ardhmen të konkurojnë si të barabartë në arenën europiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›