E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi i Ranierit, si ai kampion i Lipit

 

Bardhezinjtë mund të frymëzohen nga modeli me mesfushë të fortë, që solli shumë sukses në pjesën e dytë të viteve 90

Juventusi punëtor po lind nën reshjet e shiut. Në krye të grupit spikat Sisoko, pasi duket se problemet e tij në kofshë kanë kaluar. Ai është më i lartë dhe laget përpara të tjerëve, ndërsa Poulseni nuk është njomur ende, sepse ai s'ka shumë që ka shkuar në Torino dhe është sistemuar në hotelin "Principi di Piemonte". Ai do të fillojë të stërvitet në Vinovo, mbase duke nisur nga dita e enjte. Me blerjen e danezit, duket se organika është plotësuar. Pra projekti është realizuar!

Kamaleont - Tani Juvja është e gatshme të ndërrojë lëkurë. Bëhet fjalë për historinë e "kameleontit të fortë" që ka përmendur Ranieri. Pas sloganit të tij, trajneri ka dhënë edhe shpjegime: "Kemi në mendje 4 4 2-shin, por këta lojtarë kanë zgjuarsinë dhe aftësinë që t'u përshtaten edhe situatave të tjera, si 4 3 3-shit apo vendosjes në formë rombi". Pra, do të jetë Juvja e mesfushorëve, një Juve që do të mbështetet te takticizmi i Polusenit dhe te forca shpërthyese e Sisokos.

Si Juvja e parë e Lipit - Po, por ama, a do të ketë vend për klasin? Po fantazisti, cili do të jetë? Përgjigjet nuk mungojnë edhe për këtë. Po kërkohet edhe një varient tjetër taknik, për të cilën Ranieri është duke punuar. Bëhet fjalë për një vendosje 4 3 3, e cila parashikon mundësinë për ta transferuar Kamoranezin nga e djathta në qendër. Përkrah tij do të jenë Poulsen dhe Sisoko. Do të jetë një Juve punëtore, por në këtë mënyrë lindi edhe projekti fitues i Juves së parë të Lipit, e cila në mesin e fushës kishte tre lojtarë me tipare pak sulmuese, edhe pse kishin karakteristika të veçanta: në të djathtë Konte (alternativa e tij ishte Di Livio), në qendër ndodhej Soza, ndërsa në të majtë Deshampi. Ata e fituan menjëherë titullin, por një vit më pas edhe Ligën e Kampioneve.

4 4 2-shi - Po sikur të luhej me 4 4 2-shin? Edhe në këtë rast mund të zbatohej, duke e lënë Kamoranezin në të djathtë, Nedvedin në të majtë dhe në qendër Poulsen dhe Sisoko mund të ndërroheshin me Zanetin. Edhe këtu mund të bëhet një krahasim: me Juven e Kapelos. Sot, në projektin e bardhezinjve, Poulseni mund të garantojë sensin taktik të Emersonit, ndërsa Sisoko forcën e madhe të Vieirasë.

Merkato - Që tani e deri në fund të merkatos mund të mbërrijë edhe ndonjë lojtar tjetër. Gjithçka do të varet nga tre faktorë: nga largimi i Almironit, që mund t'i jepet hua Fiorentinës, çështje që është pranë realizimit; nga shitja e Tiagos, mbase te Monako; çështje që ama, nuk ka ende asgjë konkrete. Vetëm në atë pikë mund të mbërrinte ndonjë mesfushor tjetër (mbase Stankoviçi). Gjithnjë, nëse Interi e jep hua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›