Milani në "fotofinish", Dinjo thuajse "kuqezi"
Bisedimet janë mbyllur, praktikisht. Menaxheri është optimist, por presidenti Laporta joshet nga Mançester Siti
Se do të ishte një ditë e lodhshme, Galiani dhe Milani e dinin shumë mirë. Për t'i dhënë "mësymjen" finale Ronaldinjos, duhet një strategji e gjetur, si me lojtarin ashtu edhe me menaxherin e tij. Vetëm kështu Laporta do të dorëzohet. Mund të ndodhë për punë orësh, por asgjë s'është e sigurt, sepse Milani nuk do (dhe nuk mund) të gabojë, si dhe duhet pasur durim, nëse nevojitet ndonjë ditë më shumë.
Milani ka thyer konkurrencën dhe thuajse e ka marrë Ronaldinjon. Duket se është kryer gjithçka për kalimin e brazilianit te "kuqezinjtë". Vëllai-menaxher i Dinjos, Roberto De Asis, duke dalë nga takimi i mbajtur në Barcelonë me Adriano Galianin dhe këshilltarin e merkatos italo-spanjolle, Ernesto Bronxeti, komentoi. "Si shkoi? Shumë mirë! Nuk mund të shkonte më mirë, - ka thënë ai, duke lënë të kuptojë se është bërë për Dinjon te Milani. - Ka tre muaj që Barcelona na ka autorizuar të flasim me klube të tjera. Nëse është më pranë Milanit apo Mançester Sitit? Për momentin, është akoma i Barcelonës." Tani i vëllai dhe Ronaldinjo duhet të flasin direkt me presidentin e Barçës, Joan Laporta, me objektivin për të gjetur një zgjidhje që mund t'i kënaqë të dyja palët. Në të vërtetë, në orët e ardhshme, për të fiksuar dhe zyrtarizimin, pritet një takim mes Laportës, De Asisit dhe Galianit. Menjëherë pas kontaktit të parë, Dinjo u largua në vilën i tij i shoqëruar nga fotoreporterë dhe kronistë të shumtë. Ai nuk deshi të flasë, duke ia lënë gjithçka vëllait. Nga ana e lojtarit 28-vjeçar ekziston një dëshirë e qartë për të arritur koloninë braziliane te Milani, gjë që nuk është më tashmë sekret. Por klubi katalanas joshet shumë nga oferta prej 32 milionë eurosh e Mançester Sitit (lojtari do të përfitonte 12 milionë euro në sezon), siç deklaroi dje në mëngjes Laporta.
Këtu ekziston dhe rebusi i fantazistit: të pranojë Milanin (10 milionë) apo kërkesën e Barcelonës për klubin anglez, që i jep dyfishin e vlerës së kuqezinjve. Presidenti i Barçës u ka kërkuar palëve edhe 2-3 ditë kohë për të vendosur gjithçka, pavarësisht nga dëshira e Dinjos. Pastaj zërat e një largimi të mundshëm të fantazistit sa vijnë e shtohen pasi, përveç trajenrit të ri Guardiola, edhe 77% e tifozëve kuqeblu (përmes një sondazhi) nuk e pranojnë qëndrimin e tij. I vendosur me shpatulla pas murit, numri një i klubit spanjoll nuk mund, veçse të pranojë. Nëse nuk e bën menjëherë, marrëveshja do të shtyhet për pak ditë, pasi sot Galiani duhet të jetë në Milano, në mbledhjen e Ligës.