Juventusi, i ndërtuar për Champions
Pavarësisht se nuk ka shprehur asnjë deklaratë, Roberto di Mateo është kthyer në shtëpi nga stadium “Friuli” me një bindje më shumë: Chelsi i tij duhet të tregohet shumë i kujdesshëm me këtë Juventus. Bardhezinjtë, në fakt, po afrohen te rikthimi në Champions Ligë pas një periudhe të gjatë mungese dhe numrat aktualë thonë se skuadra e drejtuar nga Antonio Konte dhe Masimo Karrera është tashmë shumë më e fortë sesa ajo e sezonit të shkuar dhe me një Xhiovinko në super formë, që duket se është “super lojtari” i shumëkërkuar, por që nuk ka mbërritur në merkaton e verës. Duhet theksuar se Juventusi ka arritur të përmirësohet në disa nga ato që kanë qenë problemet e kampionatit të shkuar. Një gol më shumë i realizuar (6 kundër 5) në dy ndeshjet e para, një i pësuar ashtu si edhe dymbëdhjetë muaj më parë dhe gjashtë pikë të siguruara pa shumë mundime. Arritja e 41 rezultateve pozitive radhazi në Serie A duket se është vetëm fillimi i një serie që duket se do të vazhdojë gjatë. Rekordi i 58 ndeshjeve pozitive nga Milani është akoma larg, por me këtë ritëm nuk duket aspak i paarritshëm. Pa harruar këtu edhe fitoren në Superkupën italiane. Në total janë tre ndeshje zyrtare dhe tre suksese me dhjetë gola të shënuar dhe tre të pësuar. Gjithçka duket se është arritur me sloganin e famshëm “të gjithë për një, një për të gjithë”, që e përkthyer më thjesht do të thotë pesë shënues të ndryshëm për gjashtë golat e shënuar (6 golashënues për 10 golat sezonalë). Kështu pra, shumë konfirmime dhe një e re e rëndësishme: penalltitë. Pikërisht kjo sepse nëse është e vërtetë që në sezonin e shkuar Pirlo me shokë në kampionat janë prezantuar te pika e penalltisë vetëm 4 herë, tashmë jemi në kuotën e dy penalltive, të cilave i duhet shtuar edhe ajo në Pekin kundër Napolit. Tre ndeshje dhe tre penallti. Gjithçka perfekte, në këtë mënyrë? Jo, nëse është e vërtetë që si kundër Parmës, ashtu edhe ndaj Udinezes, Karrera ka kritikuar skuadrën për mungesën e ritmit në fillim të ndeshjes, por këto duket se janë vetëm disa detaje pa shumë rëndësi. Edhe sepse mungesa e famshme e atij super lojtari që është kërkuar me ngulm në merkaton e verës, duket se nuk është duke u ndjerë shumë. Meritë mbi të gjitha kjo e atij Sebastian Xhiovinko që ka thyer akullin me një dopietë në Udine dhe që është gati të marrë prej dore një Juventus që nuk është akoma “e tij”, por që nëse vazhdon me këtë ritëm mund të bëhet pa asnjë diskutim. Është ai, së bashku me Vuçiniç, njeriu që mund të prishë ekuilibrat e ndeshjes dhe t’i japë sulmit atë prekje plot fantazi që i kishte munguar bardhezinjve në sezonin e shkuar, ku siguruan titullin kampion. “Nuk ndihem një super lojtar dhe nuk më intereson nëse nuk ka mbërritur një fenomen nga merkatoja. Unë nuk e ndjej presionin sepse këtu punojmë të gjithë në të njëjtin drejtim”, është shprehur “Thërmija Atomike”. Por sa më shumë kohë kalon, ky Juventus bëhet gjithmonë e më i fortë dhe i vështirë për t’u arritur nga kundërshtarët. Tani është momenti që kjo skuadër të konfirmohet edhe në Europë.
Del Piero, sportisti më i dashur për italianët
Alessandro Del Piero është sportisti më i dashur për italianët. Ky është rezultati i një sondazhi të kryer në Itali nga SPORT+MARKT. Ish-futbollisti i Juventusit ka marrë dyfishin e preferencave në krahasim me vendin e dytë ku renditet kampioni i motorave, Valentino Rossi (17% kundër 8%). Kjo do të thotë se rreth 7.4 milionë italianë të moshës 16-69 vjeç e preferojnë Del Pieron më shumë se çdo sportist tjetër të vendit të tyre. Notarja Federica Pellegrini, kampione olimpike në Pekin 2008, renditet e treta, ndërsa kapiteni i Romës, Francesco Totti është i katërti i preferuar.