E Shtunë, 31 Tetor 2026

K. Ronaldo: Jam më i miri në botë!

Portugezi flet nga Brazili, ku do të luajë me kombëtaren

Kristiano Ronaldo beson se ka bërë gjithçka që nevojitet për të marrë trofeun e "Topit të Artë" dhe trofeun e "Lojtarit më të Mirë të Vitit nga FIFA", duke pohuar se ai është lojtari më i mirë në botë. Ylli portugez është njëri prej favoritëve për të fituar trofetë prestigjioze muajin tjetër, pasi ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm me Mançester Junajtedin, por ka pohuar se edhe lojtarë të tjerë janë pretendentë. Në një intervistë dhënë një gazete braziliane "O Estado", Ronaldo thoshte se ai dëshironte t'i merrte këto trofe, por njëkohësisht synonte që në të ardhmen të arrinte edhe më shumë brenda një sezoni. "Unë jam lojtari më i mirë në botë, por pas meje ka edhe kandidatë të tjerë të mirë, si Kaka, Mesi dhe Fernando Torres, - tha Ronaldo. - Mendoj se kam bërë atë që nevojitet për të fituar trofetë. Dëshiroj të eci përpara dhe të bëj edhe më shumë. Synimi im është të fitoj gjithçka që më del përpara." Edhe legjenda e futbollit, Pelé, e ka lavdëruar Ronaldon përpara ndeshjes miqësore që Portugalia do të luajë nesër kundër Brazilit. Sigurisht që organizatori portugez ndihet i lajkatuar nga fjalët e yllit legjendar. "Fjalët e tij kanë shumë vlerë për mua. Ai ka qenë lojtar i madh dhe është një ndjenjë e veçantë të fitosh komplimentet e tij," - tha Ronaldo. Duke folur për ndeshjen e nesërme, që do të luhet në Brasilia, Ronaldo tha se Brazili ka lojtarët më të mirë në botë, dhe se së shpejti ata do të jenë pretendentët kryesorë në Kupën e Botës. "Brazili ka pa dyshim lojtarët më të mirë në botë, si dhe një skuadër të shkëlqyer, edhe pse ka pasur disa rezultate negative në ndeshjet e fundit." Komentet e Ronaldos ndoshta nuk do ta bëjnë atë më të dashur për shumë tifozë, pasi dihet se edhe në të shkuarën lojtari portugez ka bërë deklarata subjektive, për interesa personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›