E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, përulet para të rënëve për liri

Përkujtohet 64-vjetori i çlirimit të kryeqytetit. Kryebashkiaku, Edi Rama, nderon të rënët

Tirana përkujtoi 64-vjetorin e çlirimit të saj. Ceremonia solemne u zhvillua në sheshin e “Ushtarit të Panjohur”, ku pjesëmarrës ishin veteranë dhe familjarë të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Krahas veteranëve, në homazhe morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Gjatë fjalimit përshëndetës, Rama theksoi se mundi i atyre që luftuan për liri do të kujtohet gjithmonë, dhe se veteranët e luftës duhen vlerësuar për sakrificat e tyre. Ai i cilësoi idealet e tyre të patjetërsueshme për Europën e bashkuar, duke ju përulur me nderim mundit të tyre, si një pikë të ndritur referimi për të gjithë brezat. Ndër të tjera, Rama u shpeh: “Sot, ky vend është krenar për të gjithë ju veteranë dhe veterane të një lufte që e renditi Shqipërinë në krahun e së drejtës, kundër të keqes. Sot është dita të kujtojmë ata që nuk e mbërritën dot këtë ditë dhe, njëkohësisht, për të nderuar të gjithë ata që në mëngjesin kryeqytetas të 64 viteve me parë, çliruan Tiranën, nga një natë e gjatë pushtimi nazifashist. Unë jam këtu për t'ju shprehur mirënjohjen sesi jetuatdhe jetoni për vendin tuaj, por jam gjithashtu këtu për të dëshmuar se në të gjithë këto vite si Kryetar Bashkie, më është dashur të pres mijëra e mijëra njerëz për probleme të ndryshme dhe asnjë veteran dhe veterane nuk ka trokitur në derën time për një problem personal, por vetëm për çështje të përbashkëta të komunitetit të Tiranës”. Edi Rama nuk harroi dhe të falenderonte brezin e veteranëve, duke i marrë ata si shembull që duhet të ndjekin dhe brezat e ardhshëm. “Ata njerëz që jetuan me ideale dhe dhanë jetën” - tha Rama – “na kanë lënë një amanet ne brezave të tjerë, që të punojmë shumë, dhe që të plotësojmë aspiratat e tyre për një kryeqytet të lirë dhe krenar, ndërmjet kryeqyteteve të tjerë europianë. Edhe njëherë, dua të përfitoj nga ky rast dhe moment solemn për të shprehur falenderimin për shembullin e patjetërsueshëm që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni në jetën tuaj modeste, me punën tuaj dhe përkushtimin e pambarimtë, për të bërë të mirën që të fitojë hapësirë dhe vend në këtë shoqëri. Me shumë vështirësi, ne po përpiqemi të gjithë së bashku të shkojmë përpara, duke u ndarë nga çdo shfaqje e së keqes. Pas fjalimit të mbajtur nga kryebashkiaku, ceremonia vijoi me homazhet e rastit, ku u vendosën kurora me lule tek busti i “Ushtarit të Panjohur”, që është dhe memoriali që simbolizon gjithë të rënët në luftën për çlirimin e kryeqytetit, më 17 nëntor 1944. Ceremonia përkujtimore e çlirimit të Tiranës është shndërruar tashmë në një ritual të përvitshëm e organizuar nga Bashkia, ku marrin pjesë qindra veteranë dhe të afërm të të dëshmorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›