KAJRO – Arabia Saudite e hapur për të pritur bisedimet Trump-Putin për paqen në Ukrainë

KAJRO, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Arabia Saudite është e hapur për të pritur takimin e planifikuar midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, tha dje në mbrëmje Ministria e Jashtme e mbretërisë.
Trump dhe Putin zhvilluan të mërkurën një bisedë telefonike dhe ranë dakord për fillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “menjëherë”.
Ministria e Jashtme saudite e mirëpriti bisedën telefonike midis Trump dhe Putin.
“Mbretëria shpreh gatishmërinë e saj për të pritur samitin në Arabinë Saudite dhe rikonfirmon përpjekjet e saj të vazhdueshme për të arritur paqen e qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, postoi ministria në X.
Nuk ka ende detaje konkrete se si do të duken negociatat dhe kur mund të fillojnë zyrtarisht.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të enjten në Moskë se krerët e shteteve nuk kishin marrë ende një vendim të prerë dhe as nuk mund të thoshte se kur do të mbahej takimi.
“Mund të duhen javë, muaj apo disa muaj”, tha ai për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Arabia Saudite, deri më tani është përpjekur të mbajë një qëndrim neutral në konflikt dhe ka ofruar disa herë të veprojë si ndërmjetëse.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar vazhdimisht bisedimet për paqen në Ukrainë pa pjesëmarrjen e Kievit.
“Ne duhet të zhvillojmë një strategji të përbashkët me SHBA-në dhe Evropën për të sjellë një paqe të drejtë dhe të ulemi të gjithë në tryezën e negociatave së bashku”, shkroi dje Zelensky në X.
Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022. //a.i/