KAJRO – Azerbajxhani bëhet anëtar i organizatës D8

KAJRO, 19 dhjetor /ATSH-AA/ – Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi se Azerbajxhani është bërë anëtar i Organizatës së Tetë Vendeve në Zhvillim (D8).
Në deklaratën e ministrisë thuhet se Azerbajxhani është pranuar unanimisht si anëtar i kësaj organizate në Takimin e 11-të të Samitit të Organizatës D8, të mbajtur në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.
“D8 është zgjeruar duke pranuar anëtarë të rinj për herë të parë që nga themelimi i saj. Anëtarësimi në D8 i quajtur ‘Teta Islame’ që përbën 60 për qind të mYslimanëve në botë dhe ka potencial të madh ekonomik, është shembull i qartë i ndikimit në rritje të Azerbajxhanit në botën ndërkombëtare dhe i besimit në këtë vend”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se Azerbajxhani do të luajë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve bazë të D8-s dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatës.
“Krijimi i sigurisë, stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit reciprok të dobishëm në rajonin tonë, ka rëndësi të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, transportin, komunikimin dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme. Anëtarësimi në D8 i Azerbajxhanit, i cili vepron si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe është një nga qendrat kryesore të kulturës, fesë dhe qytetërimit në botën islame, do të japë kontribut të madh për forcimin e solidaritetit islam, promovimin e vlerave islame në botë dhe në luftën me anti-islamizmin”, thuhet në deklaratë.
Organizata D8 u krijua në Stamboll më 15 qershor të vitit 1997.
Sekretariati i organizatës, ku krahas Turqisë janë anëtarë edhe Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Irani, Malajzia, Nigeria dhe Pakistani ndodhet në Stamboll.
Popullsia totale e vendeve të D8, të cilat të gjitha janë gjithashtu anëtarë të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) është afër 1,2 miliardë dhe vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme është 2,3 trilionë dollarë, që korrespondon me afërsisht 5 për qind të totalit të tregtisë globale.
Fushat kryesore të aktivitetit të D8-s janë tregtia, bujqësia dhe siguria ushqimore, industria, energjia, transporti dhe lidhja ndërsa vazhdohen punimet për fushat e shëndetësisë dhe turizmit./ /os/