E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balluku – Shehut: Bën politikë për të mbrojtur bizneset personale


TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj bën politikë për të mbrojtur bizneset e tij.

Ajo tha se megjithëse i ishte përgjigjur thirrjes së tij për interpelancë në Kuvend dy herë, ai nuk ishte paraqitur.

Kjo, sipas saj, për faktin se ai kërkon të bëjë show për të kapur ndonjë votë.

Reagimi i plotë i Ballukut:

Kur mashtrimi të bëhet ves, kur bën politikë për të mbrojtur bizneset personale, kur kalon çdo limit etike ndaj Parlamentit vetëm e vetëm për vëmendje, nën ankthin e madh që askush nuk do të japë votën, përfundon ekzaktësisht si Agron Shehaj.

Gones së Tik-Tok, që nuk di as vetë nga vjen e ku shkon, iu përgjigja madje në transmetimin e tij live, që ta dëgjojnë të gjithë të vërtetën, se Gones gënjeshtra i është bërë ves dhe ulëret me atë zërin e papranueshëm për moshën, gjininë dhe taksiratin e veshëve të të tjerëve, për një interpelancë që gjoja dashka fort në të mirë të popullit, ndërkohë që dy herë e kam pritur në sallën e parlamentit Gone-ulëritësin dhe nuk erdhi për interpelancën që po i digjet xhani, por mori raport nga frika e ish-shokëve, që i bën një nder parlamentit sot me thënë të drejtën, e flakën Gonen si leckë.

Tani, me thënë të drejtën, e kuptova pse i ka frikë, por politika nuk bëhet me lepur në bark e as me telefon. Duhet punë Gone, duhet përkushtim, duhet ta shkelësh Shqipërinë cep më cep, duhet të flesh pak e të punosh shumë, duhet të dëgjosh njerëzit dhe të bësh vepra për ta dhe jo llogje e pallavra, se ta do një mandat tjetër shpirti, por takat nuk ke e ndaj ulëret.

Gonia i Tik-Tok nuk erdhi dy herë në interpelancë, ku unë e prisja, mori raport nga frika e ish-shokëve, kjo është e vërteta, me fakte, me dokumenta, me video, foto, e raporte mjekësore, gjithçka tjetër është show i Gones për të kapur ndonjë votë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›