Kuvend, Manja: pr/ligji, standardet e BE për mbrojtjen e të dhënave personale

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi miratimin e projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, një hap të rëndësishëm sa i takon procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit gjatë diskutimit të këtij projektligji, Manja tha se, “ky është një dokument i rëndësishëm ndërkombëtar dhe kombëtar, i miratuar në kuadër të procesit të integrimit”.
Sipas tij, në Dokumentin e Anëtarësimit: Qëndrimi i Përbashkët i Bashkimit Evropian -Grup-kapitulli 1: “Themelorët”, miratuar në Konferencën mbi Anëtarësimin në Bashkimin Evropian – Shqipëria – Bruksel, 11 tetor 2024: Miratimi i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale që përafron acquis të BE: “Shqipëria duhet të forcojë më tej mbrojtjen e të drejtave themelore në praktikë. Në veçanti, Shqipëria do ta përmbushë këtë standard të ndërmjetëm pasi të ketë arritur sa vijon: “Miratimin dhe fillimin e zbatimit të reformës për mbrojtjen e të dhënave në përputhje me acquis-n e BE-së, duke përfshirë reagimin sistematik dhe marrjen e masave mbrojtëse efikase për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale””.
Manja tha se, ky projektligj vjen në frymën e Raportit të Shqyrtimit të Komisionit Evropian (Screening Report Albania) që thekson se Shqipëria ka nevojë të përafrojë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) 2016/679 dhe me Direktivën e Policisë 2016/680. Ligji duhet të sigurojë autonominë organizative të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe ta fuqizojë atë, të miratojë vendime detyruese. Për sa i përket zbatimit të ligjit, kapacitetet dhe kompetencat e Komisionerit do të duhet të rriten nëse kërkohet që ai të përballojë me efikasitet përgjegjësitë e reja që rrjedhin nga ligji që pritet të miratohet.
Projektligji i sjellë për miratim synon përafrimin e plotë me acquis-n e BE dhe konkretisht ky është projektligji i parë në legjislacionin shqiptar i cili përafron plotësisht acquis të BE.
/r.e/a.f/