KAS: Kreshnik Hajdari vijon detyrën si kryebashkiak i Kuçovës

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe i Sanksioneve (KAS) la në fuqi vendimin e dhënë më herët nga kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi për Kreshnik Hajdarin, duke vendosur që ky i fundit të vijojë të jetë kryebashkiak i Kuçovës.
“KAS pasi diskutoi çështjen në tërësi, bazuar në nenin 143 paragrafi i parë i Kodit Zgjedhor, me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore me numër 2 të paraqitur nga subjekti Partia e Lirisë dhe zoti Lefter Maliqi, dhe rrëzimin e kërkesës ankimore me numër 3 të paraqitur nga zoti Lefter Maliqi, lënien në fuqi të vendimit numër 46 datë 1 korrik 2026 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”, tha anëtari i KAS, Elvis Çefa.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së, ndërsa kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke filluar nga brenda 45 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së tij.
Opozita kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të bashkisë Kuçovë, pasi rezultonte i dënuar në Greqi për “Kalim të paligjshëm të kufirit” në vitin 1999, por që nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
/m.q/r.e/