E Diel, 1 Nëntor 2026

KDI: Bojkotimi i Kuvendit nga shumica, rast i paprecedent

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron se ikja e deputetëve nga seanca plenare e 3 tetorit është një paprecedent i llojit të vetë dhe se me këtë veprim po rrezikohet funksionimi i Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, tendenca e partive në pushtet mund të jetë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Gjithashtu, ky institut kërkon që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë të re për zhvillimin e bisedimeve politike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Gjatë një konference për media, të mbajtur të mërkurën, Driton Selmanaj nga ky institut, ka thënë se seanca plenare e fundit më 3 dhe 4 tetorit dëshmoi edhe njëherë se Qeveria e Kosovës nëpërmjet partisë më të madhe në pushtet dhe partive në koalicion po i bënë obstruksione Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm duke ndikuar në agjendat parlamentare, por duke shfrytëzuar një mjet të pazakontë për shumicën parlamentare.

Sipas tij, në seancën e fundit parlamentare kanë qenë dy kërkesa, ajo e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK, e cila binte tërësisht në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit, por që nga ana tjetër ishte edhe kërkesa e kryetarit Krasniqi që të respektohet rregullorja, e cila e ka përcaktuar se si mund të përcaktohej një çështje e tillë.

Selmanaj ka thënë se nuk ka parë ndonjë vend në botë ku shumica parlamentare bojkoton seancën, duke mos mohuar që një gjë e tillë po bëhet edhe për të shkuar ndoshta në zgjedhje të parakohshme.

“Realisht, ne kemi konstatuar nga partia në pushtet sjelljet e tilla dhe Qeveria, se edhe Qeveria e ka bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Ishte një precedent i llojit të vet sepse nuk e di sa kam lexuar që në vendet demokratike parlamentare të ketë raste ku shumica parlamentare të ikë nga seanca dhe rrezikon funksionimin e institucionit dhe kjo është hera e dytë. Dhe nëse kemi një tendencë të kësaj shumice nuk arrin që të bind deputetët e vet të votojnë një çështje atëherë formë të vetme kanë ikjen nga seanca ose bojkotimi ose bojkotimi i funksionimit të Kuvendit nuk ka zgjidhje tjetër pos ndoshta zgjedhjeve të parakohshme”, ka theksuar Selmanaj.

Se a mund të ketë reformatim të koalicionit qeverisë në mënyrë që matematika të ndryshoj dhe a duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme, Selmanaj thotë se është çështje e vullnetit politikë të atyre.

Ai ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shfrytëzohet vetëm si arenë ku legjitimohen qëndrimet e dikujt, i pëlqyen dikujt apo jo, por duhet të jetë vendi ku merren vendimet e mëdha, qoftë për privatizimin, qoftë për bisedimet politike.

Ndërkohë, analisti në KDI, Halil Matoshi ka thënë se kryeministri i Kosovës ka shfaqur mendimin e tij se Kosova është e gatshme për bisedime politike me Serbinë, ku domosdoshmërish hynë çështja më aktuale e veriut të Kosovës.

Për të hyrë në këto bisedime politike, analisti Matoshi konsideron se Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr një rezolutë të re nga ajo që ishte nxjerrë më 10 mars të vitit të kaluar, për bisedimet teknike.

“Aktualisht, Kosova po shkon drejt bisedimeve politike, ndërkaq KDI vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të miratoj një rezolutë të re, e cila i jep legjitimitet të plotë Qeverisë për negociata dhe së pari Qeveria obligohet që t’i bëjë publike të gjitha ato konkluzionet për marrëveshjet e arritura deri më sot me Republikën e Serbisë si dhe të sjell para Kuvendit që të debatohet strategjia se çfarë do të bisedohet e çfarë jo me Serbinë”, ka theksuar Matoshi.

Analisti Matoshi ka ngritur edhe një çështje tjetër atë të privilegjeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar këtë draft si jo kushtetues duke e konstatuar se neni 14, paragrafi 1.6 , neni 22, 24, 25 dhe 27 i këtij Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

Ky ligj, ka vazhduar pa këto nene, por Matoshi ka kërkuar nga Nënkomisioni për imunitete, mandate dhe rregullore të punës së Kuvendit që të ketë kujdes që të mos miratoj ligje që janë të diskriminuara në një shtet të deklaruar demokratik mbi bazat e demokracisë sociale.

Ai ka thënë se kuotat që deputetët dëshirojnë të shpërblejnë vetveten janë të diskriminuara sepse janë shumëfish më të mëdha se sa pensionet e rëndomta të shërbyesve civil.

KDI ka ngritur edhe një çështje tjetër siç është ajo e prolongimit tashmë absurd të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës.

Drejtuesit e këtij instituti konsiderojnë kjo ka të bëjë me tendencën e disa njerëzve të fuqishëm në Kryesinë e Kuvendit të cilët dëshirojnë të stopojnë këtë rregullore, pasi që rregullorja e re një numër të madh kompetencave që ka kryesia do t’ia bart konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›