E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia fton Berishën

Valon Berisha është ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A të Norvegjisë. Sulmuesi kosovar ia ka parë hairin lëndimit në shpinë të futbollistit Mohammed Abdellaoue – Moa, duke e marrë ftesën nga selektori Egil Roger Olsen për dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2014 kundër Zvicrës së shqiptarëve, më 12 tetor dhe ndaj Qipros, më 16 tetor.

19-vjeçari, i cili po impresionon në ekipin austriak, Red Bull Salsburg, do të kalojë në ekipin e seniorëve nga përfaqësuesja U-21 e vendit skandinav.

“Kjo është hera e parë që Valoni ftohet në ekipin A. Ai ka punuar shumë dhe ka kapacitet. Ai do të jetë në dispozicion dhe i gatshëm, sepse ne e kemi të mbuluar mirë atë pozitë”, ka thënë selektori Olsen, i njohur si Drillo, për të përditshmen Nettavisen.

Siç dihet, në të njëjtin grup me Norvegjinë, bën pjesë edhe Kombëtarja shqiptare, me të cilën norvegjezët do të luajnë vitin e ardhshëm. Berisha ishte transferuar gjatë verës te Red Bull Salsburgu, nga ekipi norvegjez Viking, ku kishte kaluar tri vjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›