KDI: Qeveria dhe Kuvendi shkelin procedurat

Gjatë një konference për media, Isuf Zenaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se në raport janë evidentuar shumë parregullsi që e kanë përcjellë punën e Kuvendit gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, ndër parregullsitë që janë evidentuar në raport janë shkelja e procedurave të ligj bërjes, pastaj procedurat e përshpejtimit - rasti me projektligjit për ndërtimet. Ai konsideron se Qeveria e Kosovës me disa procedurat të disa projektligjeve në Kuvend po bënë që të ketë kundërshtime me standardet juridike dhe me harmonizimin e legjislacionit në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend një projektligj me të cilin, amendamenton 121 ligje në fuqi. Madje është paradoksale vet fakti se emri i këtij ligji ka një volum prej dy faqe A/4 dhe si i tillë është më së i komplikuar. Ky, projektligj tenton t’i ndryshon 21 projektligje të Ahtisarit, me procesin e përmbylljes së Pavarësisë së Kosovës. Ne konsiderojmë se kjo është në kundërshtim me standardet juridike dhe me harmonizimin e legjislacionit në Kosovë dhe si i tillë, do të shkaktoj telashe në zbatimin e tij. Është krejt e pa nevojshme qe me një projektligj të veçantë të ndryshohen 21 ligje në fuqi, pasi që ne konsiderojmë që secili ligj duhet të hy si i veçantë në procedurën e plotësim ndryshimit”, ka thënë Zenaj.
Një problematikë tjetër e evidentuar në raportin e KDI-së, është edhe shqyrtimi i raportit të buxhetit të Kosovës për vitin 2011, pastaj prurja e ligjit për taksen rrugore dhe ekologjike, i cila, sipas KDI-së, po aplikohet vetëm sa për të mbuluar deficitin e qeverisë. Por, jo vetëm kaq, në raportin e KDI-së, është evidentuar edhe shpërfillja e seancave plenare nga ana e deputetëve.
“Në raport është evidentuar edhe problemi i mos pjesëmarrjes së deputetëve në seancat plenare dhe ne mbledhje të komisioneve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës tani më e kanë bërë shprehi që mos të marrin pjesë në seancat e Kuvendit ose vetë të vinë të shënohen në këto seanca dhe më pas dalin në bufe të kuvendit ose edhe në kafene të kuvendit. Kjo është një pa përgjegjësi elementare e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Zenaj.
Në raport, potencohet edhe momenti kur Kuvendi i Kosovës në njërën nga seancat e muajit maj, kishte miratuar Raportin vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011. Sipas KDI-së, ky dokument nuk kishte nxitur aspak interesimin e deputetëve të Kuvendit për debat.
Në raport thuhet se është evidentuar që urgjenca e Qeverisë për të proceduar projektligje me procedurë të përshpejtuar, siç është rasti për projektligjin për Hoçën e Madhe dhe për Qendrën Historike të Prizrenit, ka dëshmuar nivelin e deputetëve të Kosovës të cilët në asnjë çast nuk din të jenë autonom në gjykimin e çështjeve politike.
Sipas, raportit të KDI-së, parregullsitë që në vazhdimësi po e përcjellin punën e Kuvendit janë, edhe përfaqësimi jo procedural në Komisione, mbajtja e takimeve në orarin e punimeve të Kuvendit pa paralajmërime, mos respektimi i Nenit 12 të Rregullores për përfaqësimin gjinor në trupat e Kuvendit, etj.
KDI në këtë konferencë po ashtu ka lansuar fillimin e implementimit të projektit të ri të mbështetur nga UNDP, lidhur me monitorimin e punës së Kuvendit e që ka të bëjë me analizën e projektligjeve të cilat shqyrtohen në Kuvend, lidhur me përfshirjen sociale në përputhje me dokumentet relevante të OKB-së të cilat rregullojnë dhe përcaktojnë standarde të përfshirjes sociale në legjislacionin vendor. /kosovapress/