E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Kosovës i duhen plane sektoriale

Komisioni Evropian kërkon nga kosovarët që të kenë një plan më strategjik, të largohen nga projekte individuale e të kalohet në ato sektoriale në mënyrë që paratë të përdoren me më shumë mençuri.

Kështu është shprehur të premten Joost Korte, zëvendësdrejtor për zgjerim i Komisionit Evropian, gjatë vizitës së tij në Kosovë, teksa po merrte pjesë në takimin e tretë të dialogut të Stabilizim Asociimit.

Korte ka thënë se reforma zgjedhore, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, integrimi i pakicave dhe tregtia do të jenë kriteret kyçe që do t’i vlerësojnë për përparimin e Kosovës, dhe që sipas tij, do të kërkojnë përkushtim të plotë.

“Qasja që dëshirojmë të shohim nga ju është të jeni shumë më strategjik, shumë më shumë të përfshirë në planifikime financiare si dhe të zhvendoseni në atë që ne në Bruksel e quajmë qasja sektoriale. Ju duhet të largoheni nga projektet individuale dhe të përqendroheni në projekte sektoriale dhe kështu sigurohemi se parat janë të përdoruara me mençuri”, ka thënë ai.

Në këtë takim, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ky vit po shënon formalizimin e raporteve Kosovë-BE.

Ai është shprehur se janë të vetëdijshëm se procesi në integrimin Evropian është një proces shumë kompleks.

“Në të kaluarën kam deklaruar se Qeveria ime është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, dhe këtë e deklaroj edhe sot me plot përgjegjësi të plotë dhe përkushtim. Prandaj, intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian i cili po ndodh këto ditë kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në avancimin e Kosovës drejtë integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovës, Samuel Zhbogar ka thënë se integrimi është një proces që ka nevojë për konsensus nga të gjitha palët në Kosovë.

“Ne si zyrë do të jemi në ndihmë të autoriteteve të juaja në menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova është vendi më proevropian dhe ne jemi të lumtur që ky është një fakt, dhe është një fakt shpresëdhënës, mirëpo vetë integrimet evropiane është një proces kompleks, dhe sa më shumë thelloheni në të më të komplikuara bëhen, prandaj nuk kanë nganjëherë aq popullaritet”, ka thënë ai.

Takimi i tretë i Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit po vazhdon gjatë tërë ditës, ku në të po marrin pjesë thuajse të gjithë ministrat e Qeverisë, dhe në fund të ditës pritet të dilet me rekomandime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›