E Diel, 1 Nëntor 2026

PD në janar zgjedh kryesinë dhe sekretariatin



Lideri demokrat Sali Berisha do të thërrasë në muajin janar mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar për të zgjedhur anëtarësinë e kryesisë dhe sekretarin e ri të PD-së. Faza e dytë e zgjedhjeve brenda PD-së po vijon me numërimin e votave për përzgjedhjen e ekipit të ri të Këshillit Kombëtar. Ky proces pritet të mbyllet sonte në darkë, ndërkohë që emrat fitues do të shpallen paraditen e së enjtes. Në ditën e parë të punimeve të kuvendit të 9-të kombëtar, 1267 delegatë nga mbarë vendi rikonfirmuan liderin demokrat Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike me 1204 vota pro. Njëherësh u votua edhe projekt-statusi i ri i demokrateve pa ndryshime rrënjësore. Por dje, numërimi i votave për anëtarë të KK-së u zhvendos nga ambientet e Pallatit të Kongreseve në selinë e PD-së. Këshilli Kombëtar është forumi i lartë i partisë në pushtet që pritet të nxjerrë nga 341 kandidatura 100 anëtarët e rinj. Sipas kreut të këtij komisioni, z. Engjëll Cara, procesi i numërimit ka nisur orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe pritet të zgjasë edhe ditën e sotme. Sipas z. Cara, kryetarit të komisionit të votimit, listimi i 100 të parëve kërkon shumë kohë. Në bazë të statutit të Partisë Demokratike, ndryshimet e të cilit u miratuan gjatë punimeve të Kuvendit të nëntë kombëtar, 100 anëtarët e Këshillit do të votohen më pas nga forumi më i lartë drejtues i selisë blu. 341 kandidatët për Këshillin e ri Kombëtar të Partisë Demokratike do të duhet të presin edhe sot për të mësuar cilët do të jenë 100 më të votuarit e delegatëve të Kuvendit. Pas shpalljes së emrave të rinj të Këshillit Kombëtar, demokratët do të festojnë festat e fundvitit për të vijuar procesin e ristrukturimit të partisë gjysmën e muajit janar, kohë kur lideri Berisha do të thërrasë mbledhjen e parë të këtij forumi. KK-ja në bazë të statutit të PD-së voton për anëtarësinë e re prej 25 vetëve të Kryesisë së PD-së si dhe sekretariatin, sekretarin e përgjithshëm dhe dy nënkryetarët e PD-së. Duket se Topalli, Patozi dhe Bode do të mbajnë sërish postet aktuale në parti, ndërkohë që një gjë e tillë nuk mund të thuhet me siguri për pjesën e sekretariatit funksional të partisë në pushtet.

Në 19-vjetorin e themelimit të PD-së, demokratët mblodhën kuvendin e nëntë kombëtar. Organi më i lartë drejtues rizgjodhi liderin demokrat, Sali Berisha, në krye të PD-së dhe miratoi ndryshimet në statutin e partisë. I konceptuar nga drejtuesit e tij si një kuvend i fitores historike për Shqipërinë evropiane, gjithçka nisi me një dokumentar, që nga lëvizjet e para dhjetoriste të studentëve, aty ku u projektua rruga drejt pluralizmit dhe shembja e nomenklaturës komuniste, e deri tek fitorja e të parave zgjedhje në vend nga Partia Demokratike, qëndrimi i saj në opozitë, rikthimi në pushtet më 2005 dhe rikonfirmimi në pushtet pas votës së elektoratit shqiptar më 28 qershor.

Një rrugëtim ky, që sipas Kryeministrit Berisha, projektoi atë që lideri i demokratëve e cilësoi si pasioni për të garantuar lirinë dhe të drejtat e mohuara në përmbushje të projektit evropian të Shqipërisë.

Statuti i ri i PD-së, Këshilli Kombëtar

Neni 40

1- Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar, drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve .

2- Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

a. Kryetari;

b. Sekretari i Përgjithshëm

c. Nënkryetarët

d. Sekretarët funksionalë të Partisë;

e. Kryetari i Bordit Financiar (Trezorieri) i Partisë;

f. Ish-presidentët e Republikës, ish-kryeministrat, ish-kryeparlamentarët dhe ish Kryetarët e PD;

e. Kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë;

f. Kryetarët e degëve;

g. Kryetarët e organizatave partnere;

h. Anëtarët e zgjedhur sipas Nenit 39/3 të Statutit

Numri i anëtarëve të zgjedhur sipas gërmës “h” duhet të mos jetë më i vogël se shuma totale e dalë sipas gërmave të tjera. Anëtarët me të drejtë sipas gërmave d, e, g janë anëtarë të KK-së vetëm nëse janë anëtarë të PD-së.

3- Mandati i anëtarëve të Kuvendit Kombëtar sipas pikës 2/b,c,e,f,g të këtij neni përfundon me përfundimin e mandatit përkatës. Mandati i kategorive të tjera është katërvjeçar.

4- Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga kryesia e partisë.

Anëtarët e qeverisë në funksion, anëtarë të PD, kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, por nuk kanë të drejtë vote.

Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.

Kompetencat e Këshillit Kombëtar

Neni 41

1- Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë.

Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.

Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.

2- a. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.

b. Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.

c. Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:

I. Sekretarin e Përgjithshëm;

II. Nënkryetarët e Partisë;

III. Sekretarët funksionalë ;

IV. Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;

V. Komisionin Qendror të Apelimit.

d. Ai vendos për rregulloren e brendshme, me propozim të kryesisë së partisë, ndërmerr gjithë dispozitivin e nevojshëm për zbatimin e këtij Statuti dhe për mbarëvajtjen e partisë.

e. Ai vendos të gjitha investiturat (kandidaturat) elektorale, me përjashtim të atyre që ky Statut i parashikon ndryshe.

f. Ai shpall masat disiplinore.

Vendimet e Këshillit kombëtar merren me shumicë të thjeshtë votash. Në rastin e masave disiplinore vendimet e këshillit kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e këshillit kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve.

Kryesia e Partisë

Neni 42

Kryesia e Partisë përbëhet nga:

a. Kryetari dhe nënkryetari (nënkryetarët) i Partisë;

b. Sekretari i përgjithshëm;

c. Kryeministri, Kryetari i Parlamentit që i përkasin Partisë Demokratike;

d. Kryetari i bordit financiar (Trezorieri i partisë);

e. Kryetari i grupit parlamentar të PD në Kuvend;

f. Kryetarët e organizatave partnere;

g. njëzetepesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.

Mandati i anëtarëve të kryesisë është katërvjeçar.

Kompetencat e Kryesisë

Neni 43

1- Kryesia e PDSH angazhohet në zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi e Këshilli Kombëtar. Ajo përgatit projekte programesh, platformash dhe çdo kërkese tjetër që i paraqiten forumeve në emër të saj. Për këtë qëllim Kryesia e PDSH mund të ngrejë grupe pune.

2- Kryesia ka të drejtën e ndërhyrjes dhe refuzimit të kandidaturave të përzgjedhura nga organet lokale të Partisë. Ajo i propozon Këshillit Kombëtar kandidaturat për përfaqësuesit e saj në postet e larta të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

3- Kryesia, me propozim të Kryetarit, emëron koordinatorët tematikë të Komitetit të Orientimit të Politikave.

4- Kryesia ka të drejtë të vendosë për thirrjen e Kuvendit për zgjedhje të reja të nëndegës së Partisë dhe caktimin e organeve drejtuese të përkohshëm të degës në përputhje me Nenin 36.

5- Kryesia emëron sekretarin e degës/nëndegës.

6- Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDSH, seleksionon kandidaturat e vendos për to në përputhje me kërkesat e këtij Statuti.

7- Miraton anëtarët e Bordit Financiar.

8- Miraton strukturën organike të PDSH dhe atë të pagave.

Vendimet në kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të kryesisë. Në rast mos sigurimit të kuorumit mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga prezenca e Kryesisë ka të drejtë t’i adresohet, veç secili prej anëtarëve të saj, edhe çdo kryesi dege, grup-dege, organizatë partnere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›