Pas demonstratës së 21 janarit, opozita bojkoton Kuvendin
Ngjarjet që shoqëruan demonstratën e 21 janarit, ku mes të tjerave mbetën të vrarë tre protestues, ka kthyer opozitën te bojkoti total i Kuvendit. Që pas demonstratës, Partia Socialiste nuk ka marrë pjesë me përfaqësuesit e saj në asnjë nga zhvillimet parlamentare, qoftë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, në seancë plenare, si dhe në komisionet parlamentare. Megjithëse nuk kemi një mbledhje të forumeve të këtyre ditëve për këtë qëndrim të ri, vendimi për bojkotin duket se u paralajmërua vetëm dhjetë ditë më parë nga Asambleja Kombëtare e Socialistëve, e cila vendosi që të thellojë marrëdhënien e Kushtëzuar me Kuvendin.
Bojkoti
Mungesa e opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka qenë për arsye që lidhen me kohën se kur u thirr kjo mbledhje. Mosprezenca e deputetëve të majtë në sallën e seancën e ditës së diel ka qenë pjesë e një qëndrimi politik që socialistët kanë vendosur të mbajnë me Kuvendin që pas demonstratës së të premtes së shkuar. Një qëndrim i tillë duket se tashmë është konsoliduar, pasi dje socialistët kanë bojkotuar edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare. Në mbledhjet e zhvilluara nga Komisioni i Ekonomisë, ai i Jashtmi, i Integrimit dhe i Veprimtarisë Prodhuese nuk ka marrë pjesë asnjë deputet socialist. Kjo faktikisht ka vënë në vështirësi zhvillimin normal të mbledhjeve të këtyre komisioneve, pasi vetë mazhoranca e ka pasur të vështirë të bëjë kuorumin e nevojshëm të nisjes së një mbledhjeje. Një gjë e tillë ka sjellë dhe zhvillimin e të gjitha mbledhjeve me të paktën 30 minuta vonesë, derisa demokratët kanë mundur të bëjnë numrat në secilin komision. Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve nuk kishte programuar fare mbledhje dhe kjo jo vetëm për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës, por edhe sepse disa nga deputetët demokratë janë pjesë e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Konferenca
Bojkotin total socialistët nisën ta praktikojnë që ditën e shtunë, pra një ditë pas demonstratës, kur kryeparlamentarja për shkak të situatës së krijuar thirri në një mbledhje jashtë radhe Konferencën e Kryetarëve. Në këtë mbledhje nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i opozitës, por pa dhënë asnjë shpjegim për këtë mungesë, ndërkohë që ishin të angazhuar në terren në ceremonitë mortore të protestuesve të vrarë. Pavarësisht se edhe sot kur ky bojkot është shtrirë në të gjithë veprimtarinë e Kuvendit, nuk ka ende një qëndrim zyrtar që ta lajmërojë atë. Burime pranë grupit parlamentar socialistë kanë bërë të ditur dje se është jo normale që të mendosh të bëhesh pjesë e një veprimtarie të tillë parlamentare, kur shteti vret njerëzit që duan të protestojnë. Ky nuk është bojkoti i vetëm i opozitës, pasi që disa javë më parë ajo ka bojkotuar edhe mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.