KE-ja politikës shqiptare: “Mos e lini reformën
Kreu i delegacionit të KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, prezantoi ditën e djeshme dokumentin e KE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku preku edhe çështjet më të nxehta të politikës shqiptare. I pyetur nga gazetarët, Lohan ka folur rreth çështjes së reformës zgjedhore, ku ka kërkuar nga politika shqiptare që realizimin e kësaj reforme të mos e lënë në momentet e fundit. Kreu i delegacionit të KE-së në Shqipëri u shpreh optimist se partitë politike do të arrijnë konsensusin shumë kohë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2009. Në lidhje me përzgjedhjen e sistemit zgjedhor, Lohan tha se KE-ja nuk mund të përfshihet në një debat të tillë në Shqipëri, por në rast se i kërkohet, ai mund të japë sugjerime. “Sistemi duhet të jetë demokratik”, - tha ai, duke ritheksuar se duhet të vazhdohet me reformat si ajo në Drejtësi dhe krijimi i infrastrukturës së zgjedhjeve. ”Shqipërisë i duhet të tregojë se di të zhvillojë zgjedhje”, - deklaroi Lohan. Në konferencën për shtyp, ambasadori Lohan u përqendrua në prezantimin e dokumentit të Komisionit Europian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur konkretisht në çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë. “Shqipëria do të zhvillojë më tej marrëdhëniet e saj me BE-në me kusht që të vazhdojë të implementojë në mënyrën më të kënaqshme MSA-në. Shqipëria duhet të sigurojë realizimin e standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet, si dhe duhet të fuqizojë më tej shtetin ligjor. Po ashtu, në këtë dokument të Komisionit Europian thuhet se fuqizimi i klimës së biznesit dhe konkurrencës së ekonomisë do të jetë i rëndësishëm”, - tha ambasadori Lohan. Duke informuar mbi nismat e reja që janë prezantuar në këtë dokument, ambasadori Lohan informoi se Komisioni Europian do të krijojë një nismë të re, që ka të bëjë me shoqërinë civile, si dhe një program vizitorësh, me anë të të cilit do të krijohen mundësitë që vizitorë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor të shkojnë në vende të tjera të rajonit. “Do të krijohen rrjete kontaktesh mes personave të ndryshëm dhe shoqatave të ndryshme të shoqërisë civile si në rajon, ashtu edhe në BE. KE-ja ka propozuar krijimin e një traktati për transportin në Ballkanin Perëndimor. Në këtë traktat do të përfshihen të gjitha mënyrat e transportit me anë të rrugëve, hekurudhave ose edhe me anë të detit, por vetëm për qytetarët. Po ashtu, KE-ja do të iniciojë një nismë, e cila do të mbështesë përparimin e infrastrukturës”, - tha ai. Një tjetër iniciativë e KE-së për këto vende është edhe mbështetja për uljen e rreziqeve që kanë të bëjnë me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Ndërkohë, Komisioni Europian ka propozuar rritjen në numër të bursave që do t'u jepen studentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mirëfunksionimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike, e cila ka funksionuar në mënyrë graduale deri tani, por që do të kthehet në një shkollë të vërtetë me qendër në Mal të Zi.
6 Mars 2008