E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “Kërkesa për shkarkimin tim, qesharake”

Përfaqësuesi i PS-së e quan mbledhjen e të vegjëlve të kundërligjshme. LSI: “PS dhe PD të rikthehen në Komisionin e Reformës Zgjedhore”
Shaban Sulçe
Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, e ka quajtur të kundërligjshëm dhe në kundërshtim të plotë me rregulloren mbledhjen e përfaqësuesve të partive të vogla parlamentare në këtë komision. Islami i është kundërpërgjigjur gjithashtu kërkesës së të vegjëlve për shkarkimin e tij dhe të bashkëkryetarit Ilir Rusmali të PD-së, duke e quajtur një kërkesë qesharake. I kontaktuar nga gazeta “Albania”, Islami deklaroi: “Nuk kam ndonjë koment të tepërt për t’u bërë diskutimeve që janë zhvilluar nga përfaqësuesit e partive të vogla në të ashtuquajturën mbledhje të Komisionit të Reformës Zgjedhore, pasi ajo ishte një mbledhje e kundërligjshme dhe në kundërshtim të plotë me rregulloren. Kërkesa për shkarkim? Është qesharake”, - deklaroi Islami, i cili gjithsesi nuk bëri të ditur ndonjë variant inkurajues për zhbllokimin e situatës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Mbledhja e të vegjëlve
Ditën e hënë përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare, ashtu edhe siç kishin rënë dakord në deklaratën që nënshkruan, u mblodhën në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të diskutuar rreth propozimeve të tyre në lidhje me këtë çështje. Por në këtë mbledhje munguan dy bashkëkryetarët e Komisionit, Kastriot Islami, përfaqësues i Partisë Socialiste dhe Ilir Rusmali, përfaqësues i Partisë Demokratike. Mungesa e bashkëkryetarëve u cilësua e kundërligjshme nga ana e përfaqësuesve të partive të vogla, të cilët kërkuan edhe shkarkimin e tyre. Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, i cili drejtoi mbledhjen në fjalë, lidhur me mungesën e Islamit dhe Rusmalit deklaroi: “Pjesëmarrja në këtë komision është një kërkesë e ligjshme, e cila anashkalohet në mënyrë të kundërligjshme nga dy kryetarët e komisionit, që përfaqësojnë PD-PS-në”. Partitë e vogla parlamentare unifikuan propozimet e tyre në Komision për sistem proporcional të personalizuar, përdorimin e listave të hapura dhe mosrritjen e pragut elektoral.
LSI
Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim u ka kërkuar edhe njëherë partive të mëdha, por veçanërisht Partisë Socialiste, që të lënë mënjanë paktet e fshehta, por t’u rikthehen bisedimeve gjithëpërfshirëse dhe institucionale në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi: “Edhe një herë i kërkojmë publikisht liderëve të PD-së dhe PS-së të lënë marrëveshjet e fshehta dhe bojkotimin e institucioneve kushtetuese dhe të kthehen në Komisionin e Reformës Zgjedhore për të mos rënduar akoma edhe më shumë përgjegjësinë tashmë shumë të madhe që ato mbajnë për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe për fatin e integrimit në NATO dhe BE”. Vasili deklaroi gjithashtu vullnetin e LSI-së, ndryshe nga lidershipi i PS-së, për të mos bërë kompromis në kurriz të votës së lirë të shqiptarëve dhe zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. “PS është shndërruar praktikisht në një viktimë dhe shtojcë të Berishës përsa i takon rolit të saj në reformën zgjedhore, sepse e konsideron atë, pra Berishën, manipuluesin dhe vjedhësin e votës së socialistëve, si partnerin e saj strategjik dhe të patjetërsueshëm në procesin e reformës zgjedhore. Për zgjedhjet e lira dhe të ndershme LSI-ja nuk bën kompromis me askënd dhe këtu ne ndahemi plotësisht me ata që vjedhin votën e që sillen si diktatorë në partitë e tyre dhe me qytetarët shqiptarë, e ku Berisha është përfaqësuesi tipik i një roli të tillë”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›